Ish-këshilltar i ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Adrian Prenkaj, thotë se sfida e parë që do të përballet presidentja Vjosa Osmani, është dialogu me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Prenkaj tha se nuk pret që dialogu me Serbinë të shndërrohet në “mollë sherri” ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë.
“Mendoj që sfidat e para dhe urgjente do të jetë dialogu me Serbinë, presidentja në këtë qëllim ka një rol të rëndësishëm për të diskutuar me partitë politike por edhe në segmente të tjera të shoqërisë dhe të jetë në shërbim të krijimit të një konsensusit të nevojshëm për këtë dialog dhe në koordinim me Qeverinë në ndërtimin e qëllimeve dhe prioriteteve të Kosovës në këtë dialog”.
Tutje, ai tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të ndihmojë në arritjen e një konsensusi politik për çështjen e dialog me Serbinë.
“Nuk pres të jetë mollë sherri, nëse ndjekej në përpikëri procedurat kushtetuese dhe ligjore, nuk pres se do të ketë ndonjë problem ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës, ndoshta këtu pres që më shumë roli i Qeverisë në këtë rast për të udhëhequr dialogun dhe i Presidentes për të mbështetur Qeverinë për të ndërtuar prioritetet në dialog, por presidentja ka edhe një rol tjetër kushtetues për të biseduar më partitë politike por edhe segmente tjera të shoqërisë për të krijuar një konsensus në dialog, pra nuk pres që do të ketë probleme në raport me Qeverinë , por presidentja mund ta ndihmojë këtë proces në krijim dhe ndërtimin e konsensusit”.
Sipas Prenkaj, presidentja Osmani duhet të sigurohet që veprimet e saj janë në paanshmëri të integritetit presidencial. Tutje ai tha se duhet të punohet që interesi nacional të jetë mbi të gjitha, që të respektohet Kushtetuta e Kosovës.
“Të gjitha pushtetet në Kosovë si ekzekutivi, si legjislativi, si gjyqësori nënshtrohet parimit të ndarjes së pushteteve, mandati i presidencës është i pacenueshëm për të siguruar në respektimin e plotë të ndarjes së pushteteve, si dhe për të siguruar, sigurinë rendit juridik. Presidenti e dëshmon pavarësinë dhe integritetin në ushtrimin e kompetencave të veta dhe të gjithë qytetarët kanë të drejt të jenë të siguruar që kompetencat e presidentes të jenë në funksion të paanshmërisë të integritetit presidencial”.
Zgjedhja e presidentes Vjosa Osmani është përcjell me akuza nga opozita duke thënë se ajo nuk përfaqëson unitet politikë dhe se është figurë përçarëse. Në lidhje me këtë, Prenkaj thotë se presidentja Osmani duhet t’i ftoj partitë në takim, kur do që ajo e sheh të nevojshme.
“Po presidentja kur do që e vlerëson se është e nevojshme t’i thërret në takim në funksion të një çështje të caktuar, ajo sigurisht do ta bëjë atë, por megjithatë, varet kur presidentja e vlerëson se duhet t’i ftoj në takim partitë politike dhe në çfarë teme të cilën ajo pret ta diskutoj me partitë”.
“Po presidentja në momentin që e merr detyrën ajo jep dorëheqje nga të gjitha pozitat e mëparshëm. Në funksion të respektimit të Kushtetueses, pra ushtrimi i këtyre kompetencave ka ndikim në jetën politike në Kosovë, por ajo duke i ushtruar këto kompetenca duhet të siguroj qytetarët se ushtrimi i këtyre kompetencave është në përputhje me paanshmërinë, integritetin dhe pavarësinë e presidenti dhe zyrës së saj që ajo e udhëheq”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Me 71 vota për, Kuvendi më 4 prill, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.
Vjosa Osmani është presidentja e pestë e shtetit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.