Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaIsh i punësuari në Polici as pas tri viteve nuk e ka...

Ish i punësuari në Polici as pas tri viteve nuk e ka fituar betejën ligjore për kthim në vendin e punës

Ish i punësuari në Policinë e Kosovës, Isa Hasanaj ende nuk e ka fituar betejën ligjore për kthim në vendin e punës, që kur ishte larguar nga korriku i vitit 2018.

 

Hasanaj është deklaruar se nga puna është larguar pasi në polici kishte raportuar veprimet anti ligjore të bëra brenda policisë.

“Fillimisht duhet të sqaroj se e tëra kjo është bërë me qëllim, sepse unë në vazhdimësi prej se kam filluar me punua në tetor të 2005-ës e tutje, i kam denoncuar veprimet anti ligjore”, ka thënë Hasanaj.

I njëjti shtoi se as komisionet e brendshme brenda Policisë së Kosovës nuk kanë pasur asnjëherë kompetenca për të dhënë masa disiplinore Shërbyesve Civil të Policisë së Kosovës.

“Unë ua kamë thënë se Komisioni i Brendshëm Disiplinor dhe Komisioni për Ankesa nuk kanë qenë kompetent për ndërmarrjen e asnjë veprimi ndaj meje si shërbyes civil, e pastaj ka filluar “lufta” e madhe ndaj meje sepse ata ishin pas mësuar për 10 vite me radhë duke marrë masa disiplinore deri te ndërprerja e marrëdhënies së punës ndaj shërbyesve civil, qka në asnjë rast nuk kanë pasur kompetenca”, ka deklaruar Hasanaj.

Ndërsa lidhur me këto pretendime të Hasanajt Policia e Kosovës përmes informatave të dhëna për “Betimi për Drejtësi”, është deklaruar se nuk qëndrojnë pretendimet se i njëjti është larguar nga puna pasi ka denoncuar veprimet anti ligjore.

“Në fakt, arsye kryesore në çështjen disiplinore ndaj punonjësit Hasanaj ka qene se i njëjti nuk e ka respektuar dhe ka refuzuar ta zbatoje Urdhëresën për ekzekutimin e vendimit me Nr.07/1-01A/2176, te datës 06.04.2018, lidhur për Transfer Administrativ të lëshuar nga Drejtoria e Personelit, efektive nga data 10.04.2018, pasi qe i njëjti sipas vendimit për transferim, nuk është paraqit në vendin e caktuar të punës”, thuhet në përgjigjen elektronike të Policisë së Kosovës.

Kurse sa i përket kompetencës së Komisioneve për shqiptimin e masave disiplinore për shërbyesit civil, Policia e Kosovës ka deklaruar se çdo verim është bërë brenda kornizave ligjore.

“Nuk qëndrojnë pretendimet e ish zyrtarit Hasanaj se në kohën kur janë marrë vendimet nga ana e KBD –së, ka pasur shkelje të procedurave të brendshme dhe atyre ligjore. Në kohën kur janë nxjerrë vendimet nga ana e KBD-së, të gjithë punonjësit e policisë pa marrë parasysh kategoritë funksionale staf civil apo të uniformuar, janë zbatuar dispozitat e njëjta trajtuar në aspektin disiplinor”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Duke u bazuar në vendimin nr.339/2018 të Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), Hasanaj kundrejt vendimit për ndërprerje të marrëdhënies së punës, me datën 7 dhjetor 2018, ushtron ankesë direkt në KPMSHCK. Kjo ankesë nuk ishte shqyrtuar nga KPMSHC-ja deri me datë 7 dhjetor 2020, ku e njëjta me vendimin A.nr.808/2020, e kishte hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Hasanajt, me arsyetimin se e njëjta ishte paraqitur pa u shterur mjetet juridike.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), në qëndrimin e saj për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se duke vendosur për ankesën e palës Isa Hasanaj të cilën e ka parashtruar direkt në KPMSHCK, të njëjtit kanë vendosur duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi, rrjedhimisht edhe rekomandimin e vendimit Nr.339/2018, për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Rregullave dhe Parimeve të Legjislacionit për Shërbimin Civil në Policinë e Kosovës.

Ndërsa sa i përket mos shqyrtimit të ankesës për dy vite nga KPMSHCK-ja, e njëjta ka pranuar faktin se ankesa nuk është shqyrtuar duke thënë se Këshilli gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur anëtar dhe për këtë fakt pala Hasanaj është njoftuar e kohë.

“Këshilli nuk ka vendosur për ankesën e palës brenda aftit dyzet e pesë ditë për arsye se: nga data 13 dhjetor 2018, katër anëtarëve të KPMSHCK-së ju ka skaduar mandati, ndërsa nga data 21 janar 2019, një anëtarë është emëruar gjyqtar, dhe deri më datën 7 prill 2020, Këshilli ka qenë vetëm me dy anëtarë, ndërsa nga kjo datë deri në tetor të vitit 2020 këshilli ka mbetur pa anëtar”, thuhet në përgjigjen e KPMSHCK-së.

Tutje për këtë fakt Hasanaj kishte ushtruar padi për heshtje administrative më datën 28 shkurt 2019, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në departamentin administrativ, me pretendimet se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil i Kosovës, nuk ka nxjerrë vendimin në afatin e paraparë ligjor.

Pas kësaj Isa Hasanaj më datën 8 janar 2021, ka ushtruar edhe padinë e dytë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në departamentin administrativ, me pretendimet se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës, me datën 7 dhjetor 2020, pas heshtjes dy vjeçare, ka marr vendin të paligjshëm ndaj ankesës së tij.

Sipas Hasanajt, ende nuk është marrë asnjë veprim lidhur më këto dy lëndë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti administrativ.

Lidhur me këto pretendime, në përgjigjen e elektronike të marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhënë për “Betimi për Drejtësi”, thuhet se sa i përket padisë për heshtje administrative, gjyqtarja e çështjes është duke u marrë me përgatitjen e lëndëve të vitit 2019 për shqyrtim dhe e njëjta lëndë do të caktohet në bazë të arritjes së lëndës në gjykatë.

Ndërsa lidhur me padinë e dytë për anulimin e vendimit të KPMSHCK-së, në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se për shkak të numrit të madh të lëndëve nga vitet paraprake, përkatësisht viteve 2018, 2019 dhe 2020, e njëjta lëndë nuk është proceduar ende.

Ndryshe, Isa Hasanaj kishte punuar si shërbyes civil në Policinë e Kosovës në rajonin e Pejës. Ndaj tij ishte zhvilluar Procedura Disiplinore nga Komisioni i Brendshëm, i cili me vendimin e datës 31 janar 2018, Hasanajt i ishte shqiptuar, masa disiplinore – ndalesë 25% e pagës mujore bruto për tre muaj, dhe masën plotësuese transfer administrativ. Kundër këtij vendimi Hasanaj kishte ushtruar ankesë, në Komisionin për Ankesa në Policinë e Kosovës, dhe më datën 19 mars 2018, i ishte refuzuar e njëjta.

Pas kësaj Hasanaj, kishte paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës (KPMSHCK), dhe më datën 19 qershor 2018 ky këshill kishte marrë vendimin A.nr.150/18, për shfuqizimin e vendimeve të datës 31 janar dhe 19 mars 2018, duke e obliguar Komisionin për Ankesa që ta rishqyrtoj ankesën. Pas rishqyrtimit, Komisioni për Ankesa i Policisë së Kosovës përsëri refuzon ankesën e Hasanajt.

Pala Hasanaj përsëri ushton ankesë në KPMSHCK, dhe sipas vendimit, A.nr.431/2018, të datës 31 gusht 2018, shfuqizohen vendimet e Komisionit për Ankesa të Policisë së Kosovës, konkretisht duke shfuqizuar masën plotësuese transfer administrativ, dhe duke obliguar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që t’ia kompensojë Hasanajt pagat mujore bruto për tre muaj të cilat i ishin ndal nga vendimi i datës 31 janar 2018.

Sipas vendimit KPMSHCK-së, A.nr,621/2018, të datës 16 nëntor 2018, palës Isa Hasanaj Komisioni i Brendshëm Disiplinor, më datën 31 korrik 2018 i kishte shqiptuar masën “ndërprerje e marrëdhënies së punës”, me arsyetimin se ka munguar nga puna pa arsye, duke refuzuar të zbatoj masën për transferim administrativ.

Bazuar në të njëjtin vendim, Hasanaj kishte ushtruar përsëri ankesë në Komisionin për Ankesa në Policin e Kosovës, dhe e njëjta ankesë i ishte refuzuar, duke e shtyrë më pas të ankohej në KPMSHCK. E njëjta me vendimin e saj obligon Komisioni i Brendshëm Disiplinor të Policisë së Kosovës që ta rishqyrtoj vendimin e tij të datës 31 korrik 2018.

Në ndërkohë, KPMSHCK me datën 31 nëntor 2018, kishte marrë vendimin nr.339/2018, me të cilin kishte miratuar Raportin me Rekomandime të Kolegjit të Këshillit, sipas të cilit është konstatuar se Komisioni i Brendshëm i Policisë së Kosovës dhe Komisioni për Ankesa, nuk kanë pasur kompetencë që të shqyrtojnë procedurat disiplinore ndajë shërbyesve civil. KPMSHCK-ja udhëzon që të themelohen Komisione të Veçanta lidhur me zhvillimin e procedurave disiplinore, ndaj shërbyesve civil që punojnë në Policinë e Kosovës, dhe adresimin e ankesave të tyre.

Së fundmi, duke u bazuar në vendimin nr.339/2018, Hasanaj kundrejt vendimit për ndërprerje të marrëdhënies së punës, me datën 7 dhjetor 2018, ushtron ankesë direkt në KPMSHCK. Kjo ankesë nuk ishte shqyrtuar nga KPMSHCK-ja deri me datë 7 dhjetor 2020, ku e njëjta me vendimin A.nr.808/2020, e kishte hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Hasanajt, me arsyetimin se e njëjta ishte paraqitur pa u shterur mjetet juridike.

Pas kësaj ankese Hasanaj kishte ushtruar padinë e parë për heshtje administrative më datën 28 shkurt 2019, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në departamentin administrativ, me pretendimet se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil i Kosovës, nuk ka nxjerrë vendimin në afatin e paraparë ligjor.

Isa Hasanaj më datën 8 janar 2021, ka ushtruar edhe padinë e dytë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në departamentin administrativ, me pretendimet se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës, me datën 7 dhjetor 2020, ka marr vendin të paligjshëm ndaj ankesës së tij.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments