Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës që u zhvillua në disa qytete të Kosovës, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut, për luftimin e kontrabandës është keqpërdorur nga skena politike.
“Gjatë ditës e kam shikuar këtë operacion nga prizmi profesional dhe nga aspekti politik. Kam qenë mjaft i brengosur pikërisht për faktin që operacioni i cili ka pasë për qëllim luftimn e kontrabandës, e që është udhëhequr nga Prokurori i Shtetit dhe është implementuar nga Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës, është keqpërdorur nga skena politike në Kosovë dhe i ka dhënë një ngjyrim elektoral këtij operacioni i cili do të duhej të ishte vetëm një operacion i zbatimit të ligjit dhe luftimit të krimit”.
“Në bazë të konferencave për shtyp që sot pamë nga drejtori i Policisë [Samedin Mehmeti], ai i Doganave [Agron Llugalliu] dhe ministri i Brendshëm [Xhelal Sveçla] del që hetimet për këtë operacion kanë filluar një vit më parë në bazë të deklaratave të tyre. Operacioni ishte implementuar nga Policia e Kosovës dhe Doganat nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit derisa lajmin për mbylljen e operacionit e bën kryeministri i vendit. Ku e di kryeministri i vendit se a ka përfunduar operacioni ose jo dhe pse duhet të dalë në konferencë dhe ekran dhe të thotë nëse operacioni ka përfunduar ose jo kur kemi të bëjmë me një operacion të zbatimit të ligjit?”.
Qalaj, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka deklaruar disa herë se ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla nuk do të duhej të dilte në konferencë për media lidhur me këtë aksion.
“E patëm në konferencë për media ministrin e Brendshëm bashkë me drejtorin e Policisë dhe Doganave në ndërtesën e qeverisë, derisa sipas meje në këtë konferencë do të duhej të ishte Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Drejtori i Doganave dhe në asnjë moment Ministri i Punëve të Brendshme, meqë operacioni ka të bëjë me zbatimin e urdhëresave nga gjykata për luftimin e kontrabandës. Tentativa që me këtë operacion të ndikojnë në fushatën elektorale dhe votuesit është e qartë. Është shumë keq kur kemi të bëjmë me Policinë e Kosovës që është një institucion shumë kredibil dhe shumë i besueshëm në vend, por që në kohën e fundit po atakohet nga pushteti aktual”.
“Na vë në dyshim që është përdorur Policia e Kosovës për fushatë elektorale, marrë parasysh edhe vendimin e djeshëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i cili ka aprovuar kërkesën e kryetarit të Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri që disa fshatra me popullatë shqiptare që kanë qenë nën autoritetin e stacionit policor në veri të Mitrovicës të kalojnë nën autoritetin e stacionit policor të jugut. Është vendim i gabuar strategjik për shkak se po tentohet që pjesën veriore të Mitrovicës ta bëjnë sa më shumë njëetnike dhe të tërhiqen fshatrat me popullatë shqiptare”.
Ish-drejtori i forcave të rendit ka vlerësuar se nuk është analizuar si duhet rreziku për ta ndërrmarë këtë aksion për luftimin e kontrabandës.
“Operacioni është udhëhequr nga hetuesit e Doganave dhe Policisë së Kosovës të cilët edhe e kanë bërë vlerësimin e rrezikut. Konsideroj që operacioni është zhvilluar në bazë të vlerësimit të rrezikut nga këta hetues dhe mendoj që nuk është bërë vlerësimi i mirë i rrezikut sepse e pamë çfarë ndodhi më vonë. Kur bëhet vlerësimi i rrezikut për një operacion duhet të analizohet rrethanat, lokacioni, subjekti dhe ambienti. Në Mitrovicë të Veriut e dimë që ambienti nuk është miqësor dhe e dimë situatën pas operacionit të dështuar në Bërnjak dhe Jarinjë. Bandat kriminale atje janë trimëruar dhe ata hetues që kanë bërë vlerësimin e rrezikut është dashur ta përfshijnë edhe këtë rrezik. Banditët kanë përdorur lloj-lloj armatimi kundër Policisë së Kosovës gjë që është e papranueshme”.
Qalaj ka vlerësuar po ashtu se Policia e Kosovës nuk ka reaguar në mënyrë adekuate ndaj kësaj situate pasi, sipas tij, fillimisht duhej të shpërbëhej turma, të krijohej perimetër i sigurisë dhe pikat e larta të mbuloheshin nga pjesëtarët e Njësisë Elite FIT që në rast se ka ndonjë person të armatosur të merret veprimi i duhur.
“Policia e Kosovës disponon informata vetanake dhe bashkëpunon me AKI-në dhe është dashur ta dinë sigurt që në këto turma mund të ketë njerëz të armatosur me armë të zjarrit dhe mjete eksplozive, prandaj është dashur t’i bëjnë përgatitjet paraprake që të mos ndodhë kjo dhe nëse ndodh të neutralizojnë sa më shpejt njerëzit e armatosur”.