Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaIsh-drejtoresha e Klinës dhe tre asamblistë dënohen me 1,200 euro gjobë për...

Ish-drejtoresha e Klinës dhe tre asamblistë dënohen me 1,200 euro gjobë për korrupsion

Një ish-drejtoreshë e Komunës së Klinës dhe tre asamblistë janë dënuar me 1 mijë e 200 euro- me nga 300 euro gjobë secili, për shkak se nuk e kanë deklaruar me kohë pasurinë në Agjencinë Antikorrupsion. Ndaj dy prej tyre, gjykata ka shqiptuar edhe masën e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike për kohë të caktuar.

Ish-drejtoresha e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronësisë në Komunën e Klinës, Njomza Grabanica, asamblistët Avni Gashi, Xhevxhet Berisha dhe Shqipnora Dauti janë shpallur fajtorë pasi e kanë pranuar fajësinë në procese të ndara gjyqësore, që kanë ndodhur gjatë këtij viti në Gjykatën Themelore të Pejës, dega Klinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimet i ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, derisa vendimet i ka marrë gjykatësja Sabrije Rraci.

Ish-drejtoresha Njomza Grabanica është dënuar me 300 euro dhe ndalim të ushtrimit të pozitës zyrtare, pasi e kishte pranuar fajësinë se nuk kishte deklaruar me kohë pasurinë. Mirëpo, në këtë rast, gjykata nuk ka caktuar kohëzgjatjen e ndalesës së ushtrimit të funksionit zyrtar.

Sipas aktakuzës e pandehura derisa ishte në pozitën e Drejtoreshës së Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi në Komunën e Pejës e kishte deklaruar pasurinë me vonesë dhe jashtë afatit ligjore dhe atë më 30 qershor 2020.

Edhe asamblisti i AKR-së, Avni Gashi është dënuar me 300 euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve zyrtare për një vit. Ai në proces gjyqësor e kishte pranuar fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi, i cili kishte propozuar ndalimin e funksioneve zyrtare ndaj të pandehurit.

Gashi akuzohet se kishte deklaruar pasurinë me dhjetë ditë vonesë në kundërshtim me ligjin dhe afatet ligjore.

Gjykata e Klinës e ka gjykuar edhe asamblistin e Vetëvendosjes, Xhevxhet Berisha, i cili në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën e Klinës, ishte deklaruar i fajshëm për mosdeklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Sabrije Rraci, i pandehuri është gjykuar me 300 euro gjobë, të cilin detyrohet ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimit të bëhet i formës së prerë. Ndaj tij, nuk ka shqiptuar ndalimin e ushtrimeve të funksioneve zyrtare.

Berisha akuzohet se kishte deklaruar pasurinë me 11 ditë vonesë.

Gjykata e Klinës e ka gjykuar me 300 euro gjobë edhe asamblisten e PDK-së të Kuvendit Komunal në Klinë, Shqipnora Dauti, e cila nga Prokuroria e Pejës akuzohet se nuk kishte deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor. Deri tek ky dënim kishte ardhur, pasi e pandehura kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Dënimin me gjobë, e pandehura është detyruar të paguaj brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Ndaj saj, Gjykata e Klinës nuk ka shqiptuar dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve zyrtare.

Dauti akuzohet se ka deklaruar me vonesë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ajo ka deklaruar pasurinë më 29 qershor 2020 derisa afati ka qenë deri më 31 mars.

“Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal, parasheh dënim me gjobë ose me burg deri në 3 tri vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments