Ish-ambasadori i Kosovës në Japoni, Ahmet Shala, ka folur në emisionin “Frontal” për ish-kryeministrin japonez, Shinzo Abe, që vdiq sot pas një atentati.
Ish-ambasadori kosovar thotë se ka pasur rast të takohet disa herë me ish-liderin japonez dhe se është tronditur nga vrasja e tij.
Shala foli për orientimin që ia ka dhënë Abe Japonisë dhe ndikimin e tij në qasjen pro Kosovës.
“Japonia ka qenë përkrahëse në internacionalizmin e Kosovës në atë pjesë të botës [Azisë]”, thotë ai.
Ish-ambasadori ka kujtuar kohën kur ai ka shërbyer në Japoni dhe i kishte rënë të organizojë vizitën e Hashim Thaçit si kryeministër i Kosovës, në Japoni. Shala ka folur për nderimet e larta që Abe i kishte bërë Kosovës në atë vizitë.
Ish-ambasadori thotë se frikësohet se vrasja e ish-kryeministrit mund të jetë nga ndonjë “dorë e zgjatur”.
“Abe ka qenë shumë i qartë në orientimin e tij properëndimor, proamerikan”, tha Shala ndër të tjera në Frontal.
Ish-ambasadori përmend rreshtimin e qartë të Japonisë kundër Rusisë, pas nisjes së luftës më Ukrainën.