Bastionin e vet të dy dekadave, Podujeva, Isa Mustafa beson që LDK-ja e rikthen, nëse në zgjedhje shkon e bashkuar. Përgjithësisht në zgjedhjet lokale, Mustafa pret rezultat të mirë të LDK-së, që tash udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Në zgjedhjet e fundit të rregullta lokale, LDK-ja e kishte fituar edhe njëherë Podujevën. Por, qyteti shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, kur Agim Veliu zgjodhi ta lë për post ministror. Zgjedhjet aty i fitoi Vetëvendosje, por me një fytyrë të LDK-së. Një vit më parë, Shpejtim Bulliqi, veprimtar i LDK-së, kaloi te LVV-ja e fitoi zgjedhje.
Në këto zgjedhje, LDK për herë të parë nuk garon me Agim Veliun, por me Ekrem Hysenin, që vjen nga fusha e mjekësisë. Herën e fundit kur është folur për këtë degë të LDK-së, ka pasur hatërmbetje te Veliu, që u la pa detyra nga kryetari i ri Abdixhiku.
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar se nëse LDK-ja bëhet bashkë në Podujevë atëherë kjo komunë do t’i rikthehej fuqishëm kësaj partie.
“Fitorja në Podujevë varet nga lidershipi i LDK-së. Nëse krijohet unitet dhe përfshirje e të gjitha forcave relevante të LDK-së atje, fitorja duhet të jetë e jona”, ka thënë Mustafa për Express
Meqë në zgjedhjet e fundit LDK-ja ka fituar numrin më të madh të komunave, Mustafa këtë e sheh si përparësi.
“Në zgjedhjet e fundit, LDK ka fituar numrin më të madh të komunave dhe ka qenë e para, larg PDK-së dhe VV-së me vota për kryetarë të komunave. Ka pasur performancë të mirë të qeverisjes në këtë mandat, prandaj nëse vlerësohet performanca, jo propaganda dhe populizmi, do duhej të jetë e para me numrin e komunave”, ka deklaruara ai.
Mustafa e sheh të knaqshëm takimin e djeshëm të presidentes Vjosa Osmani me partitë politike, ku u vendos të mos shtyhen zgjedhjet, edhe pse partia në pushtet, LVV, kërkoi një gjë të tillë.
“Mbajtja apo shtyrja e zgjedhjeve, edhe përkundër një epilogu të kënaqshëm në takimin e djeshëm me Presidenten, realisht mbetet çështje e z. Kurti dhe vlerësimeve të tij.”
Kurse pas takimit të djeshëm të presidentes me partitë politike, ajo ka dalë në konferencë për media.
Osmani ka thënë se do të respektojë qëndrimin e krerëve të partive, që zgjedhjet të mos shtyhen por ajo shtoi se kjo nuk do të thotë të që pajtohet me këtë qëndrim.
“Mënyra e vetme për të shtyrë zgjedhjet është dakordimi në mes partive në pushtet dhe në opozitë. Ky është standard ndërkombëtar, pra si presidente e vendit e kam obligim të marrë vendime pasi t’i kem konsultuar këto me subjektet politike. Përkundër rekomandimit të ekspertëve shëndetësorë, për ndikim e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike, partitë politike nuk u pajtuan me shterjen e zgjedhjeve. Unë do ta respektoj këtë, por assesi nuk do të thotë që pajtohem me këtë. Data e zgjedhje mbetet ashtu siç ka qenë”, tha Osmani.