Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka ironizuar pasi me vlerën e re të koeficientit për paga, parashihet rritje e pagës për kryeministrin Kurti dhe ministrat e kabinetit.
Tahiri në foltoren e Kuvendit e ka uruar kabinetin për këtë rritje.
“Të nderuar kolegë deputetë, më lejoni që në emër të juajin t’ia urojmë kryeministrit dhe kabinetit qeveritar ngritjen e pagës”, ka thënë Tahiri.
“Është hera e parë që kryeministri me ligj e ngrit pagën që prej përcaktimit të pagës së parë të kryeministrit Bajram Rexhepi”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa e ka quajtur të papranueshme uljen e pagës për disa kategori.
“Zbritja e pagës së profesorit i cili përgatit gjeneratat e reja, zbritja e pagës së gjyqtarit i cili dënon njerëz kriminelë deri edhe me burgim të përjetshëm, zbritja e pagës së prokurorit e hetuesit që hetojë e ndjekin krimin, janë të papranueshme”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe me pagat e reja kryeministri dhe ministrat do t’i marrin mbi 400 euro më shumë se me pagën aktuale.