Monday, November 25, 2024
HomeBotaIrani paralajmëron se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit nëse e sulmon Libanin

Irani paralajmëron se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit nëse e sulmon Libanin

Irani ka paralajmëruar se “të gjitha frontet e rezistencës” – një grup i Iranit dhe i aleatëve të tij rajonalë – do të përballeshin me Izraelin, nëse ai sulmon Libanin.

Komentet nga misioni i Iranit në Nju Jork vijnë pas rritjes së frikës për zgjerimin e një lufte rajonale, ku do të përfshihej Izraeli dhe lëvizja libaneze, Hezbollah, që mbështetet nga Irani. Të dyja palët janë përfshirë në shkëmbime zjarri në baza ditore, që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2024.

Këmbimi i zjarrit është përshkallëzuar gjatë këtij muaji, së bashku me retorikën e të dyja palëve. Ushtria izraelite ka thënë se planet për një ofensivë në Liban “janë miratuar”, duke nxitur Hezbollahun të kundërpërgjigjet se asnjë pjesë e Izraelit nuk do të kursehej nga një konflikt i plotë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, misioni iranian tha se “e vlerësojmë si luftë psikologjike propagandën e regjimit sionist me synimin që të sulmojë Libanin”.

Por, shtoi se “nëse [Izraeli] nis një agresion ushtarak në shkallë të plotë, do të niste një luftë shfarosëse. Të gjitha opsionet, edhe përfshirja e plotë e Fronteve të Rezistencës, nuk përjashtohen”.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit.

Irani, që mbështet Hamasin, ka lavdëruar sulmin, që e ka cilësuar sukses, por ka mohuar se është përfshirë në të.

Përveç sulmeve të Hezbollahut në veri të Izraelit, rebelët në Jemen, që mbështeten nga Irani, vazhdimisht kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me palestinezët.

Irani mbështet edhe grupe të tjera në rajon.

Republika Islamike nuk e njeh Izraelin që nga revolucioni i vitit 1979 që rrëzoi udhëheqësin e Iranit, të mbështetur nga SHBA-ja.

Në prill u rrit frika për një luftë rajonale, pas një sulmi ajror në Konsullatën iraniane në Damask, që la të vrarë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike.

Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar drejt Izraelit dronë dhe raketa.

Mediat iraniane më pas raportuan se janë dëgjuar shpërthime në provincën iraniane, Isfahan, ndërkaq zyrtarët amerikanë u cituan të kenë thënë për mediat amerikane se Izraeli kishte kryer sulm hakmarrës ndaj armikut të tij të përbetuar, Iranit.

Teherani minimizoi sulmin e dyshuar izraelit./REL/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments