Inspektorati Policor i Kosovës i ka reaguar Sindikatës së Policisë, e cila tha se IPK po i arreston zyrtarët policorë pa siguruar prova.
Në një komunikatë për media, IPK ka thënë se “Operacioni Pika 1 dhe Pika 2 është një ndër operacionet më të suksesshme të realizuara në luftimin e korrupsionit”.
IPK ka deklaruar se ka prova, të cilat janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
“Sigurisht që për këtë rast ka prova dhe të njëjtat janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale. Sidoqoftë provat nuk mund tua prezantojmë Sindikatës së Policisë”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Fuqizimi i integritetit policor është mision i përbashkët dhe duhet të përkrahet nga të gjithë
Prishtinë/Hajvali, 09 korrik 2022,
Inspektorati Policor i Kosovës duke ju referuar komunikatës për medie që ka lëshuar sot në orët e pasdites Sindikata e Policisë, deklaron se Operacioni Pika 1 dhe Pika 2 është një ndër operacionet më të suksesshme të realizuara në luftimin e korrupsionit.
Të gjitha veprimet në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë sipas udhëzimeve dhe në koordinim të plotë të Prokurorisë së Shtetit, duke përfshirë edhe arrestimet e secilit prej tyre.
Sigurisht që për këtë rast ka prova dhe të njëjtat janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale. Sidoqoftë provat nuk mund tua prezantojmë Sindikatës së Policisë.
Shumica e veprimeve inkriminuese të zyrtarëve policorë të dyshuar në këtë rast janë të dëshmuara më zë dhe figurë. Është kompetencë e prokurorit të vlerësoj dhe vendos më tutje vazhdimin e procedurave penale për secilin prej të dyshuarve në këtë rast.
IPK siç parashihet edhe me Kodin e Procedurës Penale u ka dhënë mundësinë dhe të gjithë të dyshuarit në këtë rast janë mbrojtur dhe mbrohen nga avokatet e tyre sipas procedurës.
Ne kemi qenë dhe jemi të shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Polici dhe do të shtojmë intensitetin e luftës ndaj këtij fenomeni që minon besimin në policinë tonë. Besojmë fuqishëm që edhe Policia e Kosovës e ka këtë synim dhe e mbështet IPK-në siç e ka bërë deri tani në këtë mision të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.
Duke i falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunim, IPK beson se fuqizimi i integritetit policor është mision i përbashkët dhe duhet të përkrahet nga të gjithë.