Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeInstrumentet mjekësore u zien në tenxhere, AUV jep detaje për inspektimin në...

Instrumentet mjekësore u zien në tenxhere, AUV jep detaje për inspektimin në QKMF’në e Drenasit

Dje u publikuan disa fotografi nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Hafir Shala” në Drenas, ku shihet se instrumentet mjekësore janë vënë në një tenxhere për t’u zier. Për këtë çështje janë deklaruar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Inspektorati Shëndetësor. AUV’i ka dhënë detaje sa i përket raportimit nga ekipi inspektues, ndërsa ISh jo.

Drejtori i QKMF’së “Hafir Shala”, Ismet Bogiqi, dje tha që e ka thirrë Inspektoratin Sanitar dhe Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë që “t’i këqyrin dhe të marrin verdiktin e tyre” në lidhje me fotografitë që u publikuan në media, ku shihen instrumentet mjekësore duke u zier në tenxhere.

“Qitash e kam Inspektoratin Sanitar dhe Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë, i kam thirr që me i kqyrë edhe me jep këta verdiktin e tyre. Është e paraparë me standard, që njëherë me u zi instrumentet pastaj me u sterilizu. Nuk ka diçka të keqe”, tha Bogiqi dje, në një prononcim për Express.

Për këtë çështje janë deklaruar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët kanë thënë se kanë dërguar ekip inspektues për kontrolle të kushteve teknike sanitare dhe higjienike në QKMF’në e Drenasit.

Ekipi inspektues ka konstatuar se pastrimi i instrumenteve medicinale bëhet sipas procedurave standarde shëndetësore.

“Ne baze të raportimit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dërguar ekip inspektues për kontrolle të kushteve teknike sanitare dhe higjienike të ne QKMF-së Hafir Shala Drenas. Atyre u janë bashkëngjitur edhe inspektoret shëndetësore nga MSH.  Sipas vlerësimit të ekipit inspektues është konstatuar se pastrimi i instrumenteve medicinale behet sipas procedurave standarde shëndetësore, mënyre të rregullt dhe ne fund vendosen ne sterilizator”, thuhet në përgjigjen e AUV’it për Express.

Zëdhënësi i kësaj Agjencie, Lamir Thaçi tha se më pas inspektimi është zgjeruar për kontroll të kushteve në aspektin higjieno-sanitar, ku sipas vlerësimit ishin në nivel mesatar.

“Inspektimi është zgjeruar për kontroll të kushteve ne aspektin higjieno-sanitare. Ku ne pamje vizuale dhe vlerësim të përgjithshëm ishin në nivel mesatar. Ne disa reparte si ai i  stomatologjisë, ka pasur dëmtime fizike një pjese e tavanit është e dëmtuar dhe e mykur, vende-vende dyshemeja dhe pllakat rreth dritareve janë të dëmtuara .Inspektim ka vazhduar ne Emergjence, dhomën e trajtimit mjekësor (pastrim, fushim, kirurgji e vogël) dhe korridore. Gjendja thuajse ne tërësi është e nivelit të njëjtë (vende –vende pllaka te dëmtuara, shporta të mbeturinave pa kapak). Nyjet sanitare janë të pastra dhe funksionale. Ka ujë ne çdo ordinance (ftohte-ngrohte), ka furnizim me mjete higjienike shampon dhe dezinfektues. Nuk ka dëshmi te kryerjes se D.D.D-se”, ka thënë Thaçi për Express.

Më tutje në përgjigje thuhet se QKMF’së i është dhënë urdhëresë për ngritjen e nivelit të higjienës, duke shtuar se urdhëresat duhet të zbatohen brenda afateve kohore ligjore dhe se do të mbahen të mbikëqyra nga ekipi inspektues sanitar i AUV’it.

Të gjeturat e evidentuara me procesverbal u janë komunikuar drejtorisë se QKMF-se. Po ashtu i është dhëne urdhëresë për ngritjen e nivelit te higjienës, pastrimin e mykut dhe rregullimin e pjesëve të dëmtuara (dysheme, tavan, rreth dritareve).  Te behet gëlqerosja e mureve, shportat e mbeturinave te mbulohen me kapak dhe te behet D.D.D. Të gjitha urdhëresat duhet të zbatohen brenda afateve kohore ligjore. Ato do të mbahen të mbikëqyrura nga ekipi inspektues sanitar i AUV-së.

Ndërsa nga Inspektorati Shëndetësor i kanë thënë Gazetës Express se ata janë të informuar lidhur me rastin në fjalë, ku përmes ISh-së  është njoftuar edhe Inspektorati Sanitar dhe dje, me datën 28.08.2023, kanë kryer inspektim në QKMF, në  Drenas.

Për këtë çështje kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dje tha se po pret raport dhe se varësisht prej të gjeturave do të ndërmarrin veprimet.

“Sipas artikullit, Drejtori paska ftuar Inspektoratin, pres raport rreth kësaj çështjeje, varësisht nga të gjeturat e raportit, do të veprojmë”, ka thënë Lladrovci.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments