Inspektorati i Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave i ka të regjistruar vetëm pesë vdekje të punëtorëve në vendin e punës. Ndërkohë, që dje u tha se gjithsej këtë vit 18 persona vdiqën në vendin e tyre të punës. E në tërë Kosovën janë të punësuar vetëm 33 inspektorë të tregut.
18 persona u tha dje që kanë vdekur në vendin e punës nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat. Por nga Inspektorati i Punës thuhet se kanë vdekur vetëm pesë. Kjo sipas të dhënave që bien në domenin e tyre.
E ky numër sipas Inspektoratit të Punës që funksionin në kuadër të Ministrisë së Financave është dukshëm më i ulët sesa vitin e kaluar.
“Përgjatë viti 2023 në vendin e punës si pasoj e kushteve të punës që bie mbi domenin e AEIP-së ta mbikëqyr, kanë humbur jetën 5 persona. Dukshëm më pak se vitin e kaluar që kanë humbur jetën 15 persona”, thuhet në përgjigjen e IP-së për gazetën Express.
E 177 të punësuar sipas tyre janë lënduar në vendin e punës.
Lidhur me numrin e inspektorëve në treg, nga inspektorati kanë thënë për Express, se në shtatë rajone janë 33 inspektorë të punës.
“Momentalisht kemi 33 inspektorë të punës që ushtrojnë fushveprimtarinë e tyre në 7 rajonet e Republikës së Kosovës. Tani jemi në përfundim të procedurave (faza e ankimimit) dhe duke filluar nga muaji tjetër, shtatori, AEIP-së do t’i shtohen edhe 37 inspektorë të punës të rinj, ku numri total i inspektorëve të punës to të rritet në 70 inspektorë të punës” thuhet ndër të tjera në pëegjigjen e tyre.
Vdekjet në vendin e punës, kërkohet krijimi i Fondit për viktima, Sindikata akuzon pronarët e kompanive dhe gjyqësorin
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat ka thënë dje për Express se gjendja e punëtorëve është jashtëzakonisht shqetësuese.
Sipas tij, punëtorëve nuk po u respektohet asnjë e drejtë.
“Gjendja është përtej shqetësimit sepse në rend të parë është se punëtori e humb jetën në vendin e tij të punës dhe në moment kur ky vdes, të gjitha të drejtat që duhet t’i takojnë, siç u takojnë në vendet e tjera perëndimore, tek në përfundon çdo gjë aty. Shqetësuese është sepse ne me dekada kemi kërkuar që në këto rast kur vdesin punëtorët në vendet e tyre të punës, ata vdesin duke u munduar që t’u sigurojnë mirëqenie sociale familjes së tyre dhe të kenë së paku një përkujdesje deri në përfundim të procesit gjyqësor”, ka thënë Azemi për Express.
Ai kritika pati edhe për proceset gjyqësore në këto raste. Azemi hodhi dyshime që pronarët e kompanive po i përvetësojnë gjykatësit dhe prokurorët, pasi sipas tij në fund të procesit gjyqësor, punëtori po mbetet fajtor.
“Definitivisht po themi që institucionet shtetërore lidhur me këtë çështje as nuk kanë bërë e as nuk janë duke bërë asgjë. e keqja më e rëndë është që një proces në moment kur një punëtor po vdes, për të përfunduar ai proces po nevojiten më së paku 7-8 vite dhe pas 7-8 vitesh fajtor jet vet punëtori sepse pronarët e kompanive kanë kapital dhe po munden me i përvetësua edhe gjykatësit edhe prokurorët dhe ne gjithherë po jemi fajtor”, tha më tutje ai.
E vit me të rëndë se ky për vdekje në vendin e punës nuk ka pasur paslufte.
“Vetëm gjatë këtij viti kanë humbur jetën 18 persona, çka është më e keqja një numër bukur i madh i këtyre personave që e kanë humbur jetën janë të vetmit familjarë. Këtë vit është viti me më së shumti vdekje në vendin e punës pasluftës”, ka thënë më tutje ai.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Gazetën Express që nga janari i këtij viti e deri në muajin gusht, janë hapur 124 raste për veprën penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës”.
Për vitin e kaluar për të njëjtën vepër penale ishin hapur 177 raste në polici.
Për numrin e lartë të raportimeve për vdekjet dhe lëndimet në vendin e punës reagoi sot edhe KMDLNj.
Sipas tyre punëtorët e ndërtimtarisë janë më të rrezikuarit.
“Për shtatë muaj të vitit 2023 , në vendet e tyre të punës kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë kanë humbur jetën 18 punëtorë e që paraqet edhe një numër rekord të pësimeve me fatalitet për jetën . Për shkak të kushteve të rënda ekonomike shumë punëtorë , ndonëse të pakualifikuar për punën që e bëjnë detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës”, thuhet në reagimin e tyre.
Nga KMDLNj vunë theksin edhe tek mungesa ose numri i vogël i inspektorëve.
“Inspektorati i Punës së Kosovës nuk ka kapacitet t’i mbulojë të gjitha vendpunimet për shkak se numri i inspektorëve është në shpërputhje të madhe me kërkesat për inspektim dhe , pa asnjë dyshim duket se mungon vullneti institucional për përmirësimin e gjendjes. KMDLNj ka kërkuar dhe e përsërit se duhet t’u heqet leja e punës për punëdhënësit që nuk sigurojnë kushte për punë me ç’rast rrezikohet jeta e të punësuarve. Gjithashtu, KMDLNj ka kërkuar që dënimet në të holla të jenë shumë më të larta dhe nga ato mjete të grumbulluara të krijohet një Fond për ata që e pësojnë dhe familjet e tyre”, thuhet tutje në reagimin e tyre.