Insistimit të Beogradit se dy prej terroristëve të vrarë në Banjskë “u ekzekutuan pas dorëzimit” i ka bërë jehonë në prononcimin për media drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Ai u mundua të shtrembërojë faktet se EULEX-i nuk ka marrë pjesë në hetimin e Policisë së Kosovës “vetëm për shkak se PK-ja ka dashur të fshehë disa prova dhe të fshehë të vërtetën – se serbët ishin i vrarë gjakftohtë, brutalisht nga PK-ja”.
Por, deklarata e tij demantohet nga deklaratat e BE-së dhe disa shteteve anëtare se EULEX bashkë me KFOR ka bashkëpunuar me Policinë e Kosovës në Banjskë.
“Është dashur t’i fshihet EULEX-it dhe një hetim objektiv, i pavarur dhe mbi të gjitha profesional”, ka pretenduar Petkoviq.
Ai thotë se Serbia mori “prova të besueshme, në formën e fotografive, por edhe fjalë të gjalla të dëshmitarëve të mbrojtur” për atë që ndodhi të dielën.
Siç raporton Danas, Petkoviq tha se Bojan Mijailović u vra “gjakftohtësisht dhe brutalisht pasi fillimisht u plagos lehtë, ra në tokë dhe u dorëzua, me një plumb në kokë”.
Kështu ka thënë mbrëmë edhe presidenti serb Vuçiq.
“Ne i kemi të gjitha provat, dëshmitarët e mbrojtur që janë të gatshëm të identifikojnë të gjithë ata vrasës shqiptarë që morën pjesë në vrasjen brutale të serbëve në qytetin e Banjskës”, tha ai dhe shtoi se kërkojnë që një komision i pavarur dhe ekspertë në bashkëpunim me patologët serbë të kryejnë autopsi.
Ai tha se për ta është “veçanërisht e rëndësishme të shikojnë trupat e dy serbëve sepse do të shohin plagë që do të tregojnë qartë se si janë vrarë”.
Petkoviq ka thënë se kanë kërkuar nga EULEX-i që të bëjë një autopsi shtesë ku patologët nga Serbia do t’i shikojnë trupat dhe tha se të njëjtën gjë ka kërkuar edhe nga Miroslav Lajçak, emisari special i BE-së.
Ai ka theksuar se dje është thënë se trupat do t’u kthehen familjeve, por se kjo nuk ka ndodhur./