Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të enjten ka publikuar raportin “Saga e Strategjisë kundër Korrupsion”, në të cilin analizohet Draft-Strategjia kundër Korrupsionit e publikuar nga Zyra e Kryeministrit.
Fillimisht, IKD thekson faktin se Kosova nuk ka Strategji kundër Korrupsionit që nga viti 2019 dhe se nuk është respektuar as edhe afati për përfundimin e Strategjisë, i cili ishte deri më 1 dhjetor 2023
Përmes një komunikate për media, IKD thekson se përkundër vonesave të pakuptueshme dhe të panevojshme nga Qeveria aktuale në miratimin e Strategjisë, ndërmarrja e veprimeve drejt hartimit të Draft-Strategjisë kundër Korrupsionit është një hap pozitiv drejt përmbushjes së këtij obligimi ligjor, me kushtin që të trajtohen me kujdes komentet dhe sugjerimet e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare gjatë procesit të konsultimit publik.
Në komunikatë, thuhet se analiza konstaton po ashtu se nuk ishte respektuar as Rregullorja e Punës së Qeverisë në lidhje me afatin për komente.
Kjo pasi, sipas IKD-së, ishte ofruar një afat prej vetëm nëntë ditë pune për të dhënë komente në platformën e konsultimit, duke injoruar afatin minimal prej 15 ditësh.
Gjithashtu, IKD gjen se draft-strategjia dhe draft-plani i veprimit nuk janë hartuar në përputhje me Manualin e Qeverisë për Planifikimin, Hartimin dhe Monitorimin e Dokumenteve, Strategjive dhe Planeve të tyre të Veprimit.
Për më tepër, IKD gjen se ky dokument ka mangësi substanciale në identifikimin e problemeve, nuk bën një pasqyrim real dhe praktik të problemeve në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, në mënyrë që lehtësisht të identifikoheshin edhe masat e nevojshme.
Tutje, aty thuhet edhe se draft-strategjia përfshinë masa të cilat nuk përbëjnë qartësisht masa anti-korrupsion.
Sipas IKD-së, draft-strategjisë i mungojnë masa të rëndësishme në fusha kyçe kundër korrupsionit dhe se shumë prej fushave kruciale që paraqesin potencial të lartë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, nuk janë pjesë e draft-strategjisë.
IKD thekson se draft-strategjia duhet të bëjë një pasqyrim adekuat të gjendjes faktike dhe të përmbajë edhe problemet praktike të ngritura nga publiku viteve të fundit.
Sipas IKD-së, procedurat e mbyllura të prokurimit publik kanë ngritur dyshime për transparencën dhe ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike.
Po ashtu, thuhet se raportimet për hakmarrje ndaj sinjalizuesve tregojnë për dobësi të sistemit në mbrojtjen e këtyre personave që luajnë një rol kyç në zbulimin e keqpërdorimeve.
Më tej, theksohet edhe se dyshimet për keqpërdorime në ministri të ndryshme, përdorimi i kontratave njëburimore nga Qeveria dhe nivelet komunale, si dhe korrupsioni i pretenduar në ndërmarrjet publike, sjellin në pah nevojën për rritjen e mbikëqyrjes institucionale dhe pavarësisë nga ndikimet politike.