ëshilli Prokurorial i Kosovës i ka reaguar ashpër zv/ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili i quajtir “kriminelë” prokurorët e Kosovës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka thënë se është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra përmes një statusi në “facebook”, ku i quan prokurorët kriminelë.
KPK ka thënë se deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial.
“Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, ka paralajmëruar KPK.
“Ndërkaq, Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, thuhet tutje në reagim.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në fund të reagimit.