Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeDrejtori i VV’së në RTK ia mban një fjalim moralizues opozitës

Drejtori i VV’së në RTK ia mban një fjalim moralizues opozitës

Drejtori i ri i zgjedhur i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka vendosur që me një postim në Facebook t’iu përgjigjet kritikave që këtë post e mori si aktivist i partisë në pushtet.

Gërvalla në fillim thotë se procesi i rekrutimit ka qenë i drejtë dhe se ka garuar me shumë profesionistë të tjerë, por se garën e fitoi ai.

“Disa figura të politikës kanë kontestuar zgjedhjen time si drejtor të TV-RTK-së, duke hedhur dyshime për integritetin tim si person e si gazetar. Unë e kuptoj qëndrimin e tyre, por dua t’ua kujtoj se jam zgjedhur në mënyrë korrekte, në konkurs transparent, e në garë me kolegë të aftë profesionalë. Procesi i rekrutimit është fokusuar fuqishëm, midis tjerash, në çështje të integritetit personal dhe profesional”.

Aktivitetin e gjatë e publik si aktivist i Vetëvendosjes, Gërvalla e arsyetoi se s’ka mundur të qëndrojë indiferent ndaj zhvillimeve politike në vend, derisa pretendon se ka dhënë kontribut në këtë drejtim.

“Miqtë e mi e dinë se unë që prej vjetësh nuk jam anëtar në asnjë grupacion politik. Natyrisht, kjo nuk dmth se unë ndër vite kam qenë indiferent ndaj historisë sonë të përbashkët. Kosova jonë është një vend i vogël që po ndërton shtetësinë nga fillimi; e pra ky impenjim ka kërkuar angazhime nga të gjithë ne. Të gjithë ne qytetarët e moshës madhore kemi kontribuar ndër vite, në një formë ose një tjetër. Kemi marrë pjesë në lëvizjen studentore, skenën muzikore, luftën çlirimtare, ashtu si unë, jemi shprehur për politikë, kemi komentuar, kemi votuar, etj. Them se kjo është normale. Ne nuk mund të sajojmë njerëz prej balte për të udhëhequr institucionet tona. Qytetarët e kuptojnë se nuk është e mundshme, e në fakt nuk është as e dëshirueshme, që institucionet të drejtohen nga anonimë pa histori, të cilët nuk kanë investuar veten në sendërtim të demokracisë”.

Në këtë postim, Gërvalla edhe moralizoi me disa rreshta karshi opozitës.

“Por, krerët e politikës nuk bëjnë mirë me keqpërdorë këtë histori tonën të përbashkët për me hedhë dyshime në integritetin personal dhe në etikën profesionale të gazetarëve. Fakti që unë kam fituar pikët maksimale në proces rigoroz të konkurimit duhet të sigurojë çdokënd për dy gjëra me rëndësi. E para, se unë kam një ankorim të fortë në vlerat etike të profesionit tim: se për mua, gazetaria objektive qëndron mbi të gjitha. Unë thjesht kam bindjen se sot i shërbej më së miri atdheut duke qenë profesionist i paanshëm i gazetarisë. Dhe e dyta, se unë nuk jam i ndikueshëm nga politika ditore”.

Ai tha se respektimi i RTK-së është obligim ligjor edhe i politikanëve, derisa dha një zotim se do të jetë i paanshëm në drejtimin e mediumit.

“Unë dua t’i përkujtoj të gjithë krerët e politikës se ata janë të obliguar ligjërisht që të respektojnë integritetin e RTK-së si institucion publik. Se në këtë respekt ligjor përfshihen edhe proceset interne të validimit profesional, rekrutimit, e punësimit brenda institucionit. E se mësymja e bojkotet përbëjnë ndërhyrje të politikës në një institucion të pavarur. Ju pra po shkelni vetë, që sot, mbi atë dërrasë të kalbur mbi të cilën po spekuloni se ndoshta mund të shkel unë dikur në rolin tim të ri!. Si drejtor i zgjedhur i TV-së, unë i siguroj të gjithë krerët politikë se ky institucion, pra Drejtoria nën udhëheqjen time do të respektojë hierarkinë dhe organogramin dhe do të mbajë qëndrim të paanshëm ndaj partive që ndërtojnë demokracinë tonë. Ju mund të kujtoni se na bojkotoni, por ne s’do t’ju bojkotojmë juve. Qytetarët taksapagues që mbajnë gjallë RTK-në i siguroj se RTK do të shërbejë si sytë e veshët tuaj në korridoret e pushtetit. Ndërsa të gjithë punonjësit e RTK-së i siguroj se puna, arritja, sukseset individuale do të vlerësohen mbi baza strikt profesionale. Konsideroj se jemi të punësuar të gjithë në një institucion profesional, secili prej nesh quhet profesionist në lëmi të vet, nga rojet e gjer te drejtori: dhe si të tillë do të vlerësohemi”.

Pas zgjedhje së Gëvallës në krye të mediumit publik, deri më tani vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur hapur se do ta bojkotojë atë. Po ashtu, edhe në opinioni pati reagime për “rikapje të RTK-së”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments