Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaI dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë nga spitali dërgohet në...

I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë nga spitali dërgohet në qendrën e paraburgimit, tjetri ende në arrati

Vëllezërit Blerim dhe Haxhi Islamaj, 42 dhe 38 vjeç, u privuan nga jeta me 25 qershor në fshatin Madanaj të Gjakovës. Prokuroria Themelore e Gjakovës konfirmoi për Gazetën Express se motivi i vrasjes së dyfishtë ka ardhur si rrjedhojë e problemeve pronësore. I plagosur mbeti edhe i dyshuari Gj.Gj., i cili disa ditë qëndroi në spital nën mbikëqyrjen e policisë. Por, ai, tashmë është dërguar në qendrën e paraburgimit në Dubravë.

Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Lekë Muqaj, duke theksuar se Gj.Gj., është duke vazhduar mjekimin edhe brenda qendrës së paraburgimit.

“Për rastin në fjalë ju njoftoj se i pandehuri gjendet në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, i njëjti është duke i marrë shërbimet shëndetësore brenda kësaj qendre”, tha Muqaj.

Gjykata ia ka caktuar një muaj paraburgim Gj.Gj., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.

Sipas kërkesës së prokurorisë, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20 në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor”.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës është në kërkim edhe të dyshuarit të dytë Zef Ademaj.

Prandaj, me qëllim që i njëjti të arrestohet, policia u kërkon qytetarëve bashkëpunim në dhënien e informatave nëse dinë diçka për vendndodhjen e tij.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se deri më tani nuk është arritur të bëhet arrestimi i Zef Ademajt.

“Deri në këto momente nuk është arrestuar”, tha Elezaj të mërkurën për Gazetën Express.

Policia ka njoftuar se njëri nga viktimat kishte vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri rrugës për në spital.

Në vendngjarje kanë dalur njësitë përkatëse policore me ç’rast kishin sekuestruar disa gëzhoja.

Nga i dyshuari ishte konfiskuar një revole. /

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments