“Çlirimi ende nuk është arritur e ne duhet të luftojmë për këtë. Lufta jonë është më e gjatë. Ne as nuk lodhemi, as nuk dorëzohemi. Kosova është shumë e vlefshme për t’ua lënë në duart e stërvitura për korrupsion”, thuhet në analizën e VV-së për rezultatin e zgjedhjeve lokale.
Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo thotë se Kosova është çliruar më 1999.
Ajo thotë se partia në pushtet po tenton të rishkruajë historinë dhe se e kanë harruar qershorin e vitit 1999.
“Kthjelluni e punoni diçka. Nuk jeni në pushtet për t’u ankuar e bërë analiza e të vajtoni për dështimin në zgjedhjet lokale”, shkroi ajo në Facebook.
Njoftimi i plotë:
Kosova është çliruar më 1999,
Një parti politike, Lëvizja Vetëvendosje, humbësja më e madhe e zgjedhjeve lokale, në vend se të punojë diçka për arsim, të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë shëndetësinë, të thellojë raportet miqësore në SHBA-në, ka vendosur të merret me krejt diçka tjetër.
Partia në pushtet – që dështoi në zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës – po tenton të rishkruajë historinë. Po tenton të tregojë se kur është çliruar Kosova dhe e kanë harruar qershorin e vitit 1999.
Në vend se të përmendin 1999-ën, Vetëvendosje njëherë e prezantoi 14 shkurtin si datë të çlirimit. Ndërsa, tash prapë – partia humbëse e zgjedhjeve lokale – po tenton ta prezantojë fitoren në 4 komuna si çlirim i ri për këto komuna.
Dhe, natyrshëm pyetja për Vetëvendosjen është se a u çliruan edhe Prishtina, Prizreni e Mitrovica të keqqeverisura nga Vetëvendosje?
Kjo gjuhë që po përdoret nga Vetëvendosje është fyerje për secilin qytetar të Republikës. Për secilin që ka dhënë një pikë kontribut për çlirimin e Kosovës. Për secilën dëshmore e dëshmor. Për secilën familje që ka sakrifikuar gjithçka për çlirim.
Partia humbëse e zgjedhjeve lokale duhet të marrë mësim. Të bëjë vetëkritikë dhe t’ia nisë e të punojë diçka.
Sepse disfata juaj, dështimi juaj në shumicën e komunave në zgjedhjet lokale lidhet me dështimin e juaj në Qeveri. Koha është të punoni e t’i përmbushni premtimet që i keni dhënë në të gjitha fushat.
Kuptojeni se Kosova është çliruar më 1999. Kthjelluni e punoni diçka. Nuk jeni në pushtet për t’u ankuar e bërë analiza e të vajtoni për dështimin në zgjedhjet lokale.