Saturday, November 23, 2024
HomeBotaHungaria del kundër 26 shteteve të BE-së, bllokon deklaratën për armëpushim në...

Hungaria del kundër 26 shteteve të BE-së, bllokon deklaratën për armëpushim në Gaza

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dështuan të martën që të dalin me një deklaratë të përbashkët me të cilën do të kërkohej armëpushim i menjëhershëm mes Izraelit dhe Palestinës. Shteti i vetëm që doli kundër kësaj deklarate ishte Hungaria, ndërsa 26 shtete tjera anëtare ishin për.

Përktheu: Nasuf Abdyli

“Prioritet është ndërprerja e menjëhershme e tërë dhunës dhe zbatimi i një armëpushimi, jo vetëm që të arrihet zbatimi i armëpushimit”, tha shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, gjatë një konference për gazetarë pas takimit të jashtëzakonshëm të diplomatëve të lartë.

Ai tha se Bashkimi Evropian dëshiroi që të dalë me një përfundim pas konferencës, duke e sqaruar pozicionin e përbashkët rreth konfliktit, por vetëm një shtet nga 27 shtetet anëtare të BE-së e kundërshtoi tekstin e deklaratës.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian më vonë konfirmoi se ishte Hungaria ajo që e bllokoi lëshimin e deklaratës së përbashkët, shkruan Anadolu.

Ai tha se të gjitha vendet tjera anëtare bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm me qëllim të mbrojtjes së civilëve dhe të ofrimit të qasjes së plotë të ndihmave humanitare për Gazën.

“Izraeli dhe Palestina kërkojnë një zgjidhe të vërtetë politike, sepse vetëm një zgjidhje e vërtetë politike do të mund të sillte paqe. Shtimi i dhunës ditëve të fundit ka çuar në numër të madh të pasojave në civilë, vdekje dhe lëndime dhe në numër të papranueshëm të fëmijëve në mesin e viktimave”, theksoi Borrell.

Ndryshe, luftimet mes Izraelit dhe militantëve palestinezë po vazhdojnë edhe të mërkurën. Izraeli po e bombardon Gazën përmes sulmeve ajrore, ndërsa palestinezët po hedhin raketa tokë-ajër në drejtim të territorit të Izraelit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments