Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë, masën e paraburgimit, të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçares M.O në Ferizaj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit për dy të akuzuarit e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Albnora Bekteshi Hoti.
I akuzuari Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi që sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, vdekja e 18-vjeçares dyshohet se kishte ardhur pasi ajo ishte keqtrajtuar fizikisht dhe kishte pësuar lëndime të rënda, nga i njëjti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i dyshuari Sejdiu kishte marrë pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psiqike ndaj tani të ndjerës M.O.
Ndryshe, i pandehuri Krivaqa dyshohet se më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte ndërruar jetë.
Tutje, siç thuhet në kërkesë, i pandehuri Sejdiu kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e kishin dërguar dhe lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit kishin ikur në drejtim të panjohur.
Për këtë, prokuroria thotë se në bashkëkryerje kanë kryen veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Pena, vepër me të cilën kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet ose me burgim të përjetshëm.