Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier, ka folur sot për draft statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, Hovenier ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk ka autoritet ekzekutiv dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës
“Ne besojmë se është në përputhje me kushtetutën. Por është vetëm një entitet që mund ta bëjë vlerësimin e plotë dhe ajo është Gjykata Kushtetuese. Siç ka thënë edhe kryeministri Albin Kurti në Kuvend, kjo duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese para se të hyjë në fuqi”, tha ai.
Ambasadori amerikan po ashtu tha se SHBA pret që Qeveria e Kosovës të bëjë hapa para.
“Është një urgjencë, është një dëshirë që të shihet një lëvizje e shpejtë dhe kjo është një bisedë e jona me Qeverinë tani. S’ka arsye që Qeveria të mos bëjë hapa para me këtë draft statut”, tha Hovenier.
Sipas tij, po të lexohet drafti i propozuar, shihet se liderët evropian, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Giorgia Meloni, janë përfshirë seriozisht në procesin e dialogut që mundëson normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.