Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë një postim lidhur me Fondin Sovran, ku ka renditur vërejtjet e tij dhe problemet kryesore që thotë se shkakton Ligji për themelimin e këtij Fondi.
Sipas Hotit, Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit
Madje, thotë se themelimi i Fondit do të jetë hap i madh prapa në ambientin e të bërit biznes.
“Të gjitha analizat vlerësojnë se do të dëmtohet konkurrenca e lirë e do të krijohet pasiguri për buxhetin e shtetit. Në çdo nen të tij, Ligji për Fondin Sovran dhe koncept dokumenti përkatës kanë për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik”, ka shkruar Hoti.
Këto janë “vërejtjet kryesore dhe problemet ekonomike që shkakton Ligji për Fondin Sovran” sipas Hotit:
1. Qeveria i shpall disa kompani private si “Kampionë Nacionalë”, në të cilat investon Fondi Sovran. Pra, Qeveria përcakton se cilat kompani private përfitojnë nga investimet e Fondit. Ky veprim e kufizohen drejtpërdrejt konkurrencën e lirë. Për më tepër, kjo qasje paraqet kapje të sektorit privat nga Qeveria sipas modelit kinez të kapitalizmit shtetëror.
2. Ndërmarrjet publike në kuadër Fondit Sovran mund t’i japin hua njëra tjetrës. Kjo politikë ekonomike është reminishencë e komunizmit, ku ndërmarrjet shtetërore të atëhershme e financonin njëra-tjetrën derisa i gjithë sistemi ekonomik dhe financiar i asaj kohe kolapsoi nga joefiçiencat masive.
3. Edhe pse Fondi Sovran thuhet se do të jetë institucion i pavarur, ligji përcakton se çdo veprim strategjik i Fondit bëhet në koordinim me Qeverinë, që nga përgatitja e strategjisë investive të Fondit, përcaktimit të listës së aseteve nën menaxhim të Fondit, certifikimit të “Kampionëve Nacionalë” siç u definuar në pikën 1 më lartë, e deri tek vendimet specifike. Kështu që, Fondi Sovran është vetëm instrument i Qeverisë për të kontrolluar ndërmarrjet publike dhe për të favorizuar ndërmarrje të caktuara private.Kjo mund të vërehet edhe me faktin se Kuvendi i Kosovës, përmes mazhorancës qeverisëse, parashihet të ushtrojë detyrat e kuvendit të aksionarit të Fondit.
4. Fondit Sovran do t’i transferohen ndërmarrje që aktualisht janë nën menaxhimin e Qeverisë dhe Agjencisë së Privatizimit. Me këtë rast, ato ndërmarrje i nënshtrohen “ristrukturimit”. Por, problemi qëndron se kjo mazhornacë majtiste që është në pushtet, ristrukturimin e kupton vetëm si ndryshim të Bordit, e jo ndryshim të kapitalit, operacioneve, prodhimit/shërbimit, zinxhirit të vlerës dhe ripozicionimit në treg të ndërmarrjes. Problem në vete është fakti se nëse ndërmarrjet që transferohen në Fond kanë borxhe, atëherë borxhet mbesin tek Qeveria dhe Agjencia e Privatizimit, duke e rritur barrën për shtetin.
5. Ndërmarrjet publike ekzistuese funksionojnë në tregje të rregulluara, me përjashtim të Trepçës dhe Telekomit që shesin produktet dhe shërbimet e tyre në tregje konkurrente. Duke qenë të rregulluara, ndërmarrjet publike kanë strukturë dhe nivel të shpenzimeve të përcaktuara nga rregullatorët përkatës, të cilat bazohen në kostot e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë. Në shumicën e rasteve, çmimi që paguajnë konsumatorët përcaktohet nga rregullatorët përkatës, e jo nga tregu i lirë. Kjo e vë në pikëpyetje idenë e komercializimit klasik të këtyre ndërmarrjeve, dhe, rrjedhimisht, arsyeshmërinë e përfshirjes së tyre në Fond.
6. Shembujt në të cilët bazohet Fondi Sovran nuk vlejnë për Kosovën, si ekonomi e tregut të lirë dhe e orientuar drejt tregut evropian. Rasti i Sllovenisë e ka vërtetuar këtë, ku barra për buxhetin e shtetit nga mbajtja e ndërmarrjeve në pronësi të shtetit është bërë e papërballueshme dhe shumë nga ato ndërmarrje kanë mbetur prapa konkurrencës sa i përket teknologjisë. Kosova nuk ka teprica buxhetore, siç është rasti i disa vendeve, të cilat teprica do të mund të investoheshin në këtë Fond.
7. Neni 7.3 specifikon se Fondi ushtron veprimtarinë në kushte të barabarta të tregut. Por të gjitha aranzhimet në kuadër të ligjit përcaktojnë se ky Fond është mbi: ligjin për shoqëritë tregtare, ligjin për AKP-në, ligjin e prokurimit, ligjin e punës dhe ligjin për ndërmarrjet publike. Këto aranzhime ligjore për Fondin Sovran nënkuptojnë se po krijohet një entitet që nuk do të përfill parimet bazike të rregullativës ekonomike.