Të paktën një në katër të rritur dhe më shumë se gjysma e atyre mbi moshën 60-vjeçare në Kosovë vuajnë nga hipertensioni, apo presioni i lartë i gjakut.
Sëmundjet kardiovaskulare, ku bën pjesë edhe hipertensioni, janë më të përhapurat dhe gjithashtu me shkallën në të lartë të vdekshmërisë në vendin tonë.
“Numri i saktë i personave të prekur nga hipertensioni është vështirë të përcaktohet, por është e sigurtë se sëmundjet kardiovaskulare ku bën pjesë HTA paraqesin sot numrin një të sëmundjeve më të përhapura dhe gjithashtu, me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në vendin tonë. Kështu është, sipas statistikave, edhe në shumicën e shteteve të Evropës dhe të botës”, thuhet në përgjigjen e tij.
“Së paku 1/4 e të rriturve dhe më shumë se gjysma e atyre më të vjetër se 60 vjeç kanë tension të lartë të gjakut. Prevalenca e gjithmbarshme e hipertensionit është diku rreth 30–45 për qind e popullatës së përgjithshme, me ngritje të ndjeshme me moshën”.
Hoti tutje thotë se në Kosovë ka terapi të mjaftueshme të regjistruara dhe në përdorim për trajtimin e hipertensionit.
“Sigurisht ka një kosto të caktuar, por e cila varet nga koha kur është zbuluar sëmundja, stadi i saj, mënyra e trajtimit, mosha e pacientit dhe karakteristika të tjera të sëmundjes”, shton ai.
Numri me pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, po rritet
Numri i pacientëve me hipertension është në rritje e sipër në dekadat e fundit, thotë për Telegrafin kadriologu Edis Demiri.
E Faik Hoti nga MSh-ja derisa konfirmon se ka rritje të rasteve të reja të hipertensionit, pohon se “po shkaktohen nga faktorë të ndryshëm si ata shëndetësorë, mjedisorë, socialë dhe gjenetikë”.
Demiri tregon se gjatë majtës së shtypjes së gjakut shikohen dy vlera të tensionit.
“Tensioni i madh (shtypja sistolike e gjakut) si dhe tensioni i vogël (shtypja diastolike e gjakut). Zakonisht këto dy vlera ngritën njëkohësisht. Për diagnostikim të hipertensionit mjafton që njëra nga këto të jetë më e lartë se vlerat normale”, thotë ai.
Sipas tij, pacientët që e kanë tensionin e gjakut më të lartë se vlerat normale, që do të thotë se e kanë shtypjen sistolike mbi 140 mmHg dhe/ose shtypjen diastolike mbi 90 mmHg, janë me hipertension.
Pasojat e hipertensionit
Doktor Demiri mes tjerash tregon se hipertensioni mund të shkaktojë sëmundje të veshkave, kardiovaskulare, neurologjike si dhe problem me sytë.
“Organet që më së shumti preken nga tensioni janë zemra, truri, veshkat, arteriet e mëdha dhe sytë”, thotë ai, derisa shton se tek 90-95 për qind të rasteve me hipertension nuk ekziston ndonjë shkaktar specifik.
“Por, vetë hipertensioni është gjendje që duhet të trajtohet, në këto raste bëhet fjalë për hipertensionin primar ose esencial. Tek 5-10 për qind të rasteve hipertensioni shkaktohet nga ndonjë shkaktar specifik sikurse sëmundjet e veshkave, gjëndrave mbiveshkore, gjëndrës tiroide, sëmundjeve të arterieve të mëdha sikurse që është koarktacioni i aortës, shtatzënia, etj. Në këto raste quhet hipertension sekondar dhe këto janë raste ku duhet trajtuar shkaktari i hipertensionit”.
Sipas tij, shumica e pacientëve nuk janë të vetëdijshëm për sëmundjen e tyre. Ndaj, thotë se çdo person mbi moshën 20 vjeçare duhet të bëjë matjen e tensionit së paku njëherë në vjet.
“Dhe në momentin që vlerat janë më të larta se 130/85 mmHg duhet të vizitojë mjekun përkatës për ekzaminimet e duhura dhe eventualisht planifikimin e trajtimit në mënyrë që të parandalohen pasojat afatgjate të tensionit të lartë”.
Demiri mes tjerash pohon se për të trajtuar hipertensionin së pari duhet të tentohet që të ulet tensioni me ndryshimet në stilin e jetës dhe nëse këto ndryshime nuk bëjnë efekt, atëherë duhet të fillohet trajtimi me ilaçe.
“Ndryshimet në stilin e jetës që ndihmojnë në kontrollin e tensionit të gjakut janë: humbja e peshës se tepërt dhe e perimetrit te belit, ushqimi i shëndetshëm, ushtrimet e rregullta fizike, reduktimi i sasisë së natriumit (kripës) në dietë, ndërprerja konsumimin te duhanit, reduktimi ose ndërprera e konsumimit e alkoolit, kontrollimi i efekteve te kafeinës në organizëm dhe konsumimi i kafes në bazë të këtyre efekteve, menaxhimi i stresit dhe monitorimi presionit të gjakut në shtëpi”.
Këshillat për pacientët me tension të lartë nga kardiologu Demiri:
1. Pacientët duhet të mësojnë si të masin tensionin dhe nëse kanë mundësi të blejnë një parat për matje të tensionit.
2. Pacientët duhet të bëjnë zakon të shënojnë vlerat e matura të tensionit
3. Letra/fletorja ku shënohen vlerat e tensionit nuk duhet harruar në shtëpi kur të bëjë vizitën të mjeku.
4. Ditën e terminit të pihen ilaçet e përshkruara
5. Kur të shkohet për kontroll duhet marrë më vete i tërë dokumentacioni mjekësor që e posedon pacienti (rëntgen, rezultatet e analizave, dosja e spitalit, kutitë e ilaçeve, etj).