Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha sot se një ndryshim historik po ndodh sepse Shqipëria dhe Serbia po punojnë së bashku si kurrë më parë.
Hill deklaroi se ka qenë së fundmi në Shqipëri dhe se ka dëgjuar nga një zyrtar i lartë se një nga gjërat më të mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë ishte hapja e kufijve përmes nismës së Ballkanit të Hapur.
Ai tha se çështja e afrimit të tregjeve ekonomike të rajonit është në shumë mënyra sfida kryesore e këtij shekulli, sepse në fund të shekullit të kaluar pati një distancim të shteteve të mëdha në Ballkan dhe se çështja kryesore për fillimin e këtij shekulli është përcaktimi i mënyrave se si shtetet e larguara u takuan përsëri brenda një tregu të vetëm ekonomik.
“Ne nuk duam që mosbesimi të jetë një faktor që do ta pengojë lehtësimin e tregtisë”, tha Hill në Konferencën Rajonale për Lehtësimin e Marrëdhënieve Tregtare të Vendeve të Ballkanit, organizuar nga USAID, Banka Botërore dhe Qeveria e Zvicrës.
Ai shtoi se sfida është se në Ballkan kanë lindur shumë kufij.
“Ata kufij nuk duhet t’i ndajnë, por t’i bashkojnë vendet. Ka përpjekje të shumta për integrimin rajonal. Dhe njëra prej tyre në Ballkan është ajo që përmendi ministri (Tomislav) Momiroviq dhe do ta përsëris sepse e mbështes fuqishëm nismën Ballkani i Hapur, e cila synon t’i ftojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen dhe që pavarësisht statusit të tyre mund të punojnë së bashku dhe të punojnë për hapjen e kufijve”, tha Hill