Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se janë duke i shqyrtuar deklaratat publike të ish-drejtorit të Inspeksionit në Podujevë, Besnik Mulliqi. Ai e akuzoi Bulliqin për pengimin në kryerjen e punës së tij si drejtor inspeksioni, lidhur me disa ndërtime në zonën e Liqenit të Batllavës.
Bulliëi ka thënë se i gëzohet këtij lajmi dhe se mirëpret çdo hetim me qëllim të zbardhjes së të vërtetës lidhur me këtë çështje, raporton Express.
Ai ka thënë se do të bashkëpunojë më Prokurorinë.
“Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës. I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje. Shpreh gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zone” ka shkruar Bulliqi.
Ndryshe, ish-drejtori Mulliqi në para dy ditësh në Frontal të T7 deklaroi se kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka penguar në punën e tij duke mos e lejuar që të fillojë rrënimet e vilave në Orllan dhe të njëjtit i ka kërkuar t’i lejojë mbindërtimet në qendrën e qytetit të Podujevës.
Për këto deklarata publike, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Express ka deklarauar se organi i akuzës është duke i shqyrtuar pretendimet e ish-drejtorit të Inspeksionit në Podujevë.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigje.
Ish-drejtori i Inspeksionit në Podujevë, Besnik Mulliqi, që u shkarkua kryetari Shpejtim Bulliqi i ka kërkuar që t’i lejojë mbindërtimet në qendrën e qytetit dhe të mos i fillojë rrënimet e ndërtimeve në Orllan
“Drejtorët e Lëvizjes që janë brenda e bëjnë të pamundurën që me u punu drejt në qeverisjen në Podujevë. Aty është kriju një ambient i pamundur me bë punë, zotëriu në fjalë [Shpejtim Bulliqi] e ka problemin me të gjithë drejtorët vetëm për punën e mirë që janë duke e bë. E them prapë ai më ka pengu me i zhvillu punët sic duhet. I njëjti më ka kërku mos me i fillu rrënimet në Orllan i njëjti më ka kërku me i leju mbindërtimet në zonën e qytetit. S’ka pasë arsyetim thjesht qysh i ka ato shprehjet, lej le t’shkojnë, naj dënim aty këtu”, ka thënë Mulliqi.
Mulliqi, ka thënë se nuk e ka nënshkruar transferimin e inspektorëve pas kërkesës së kryetarit Shpejtim Bulliqi në lidhje me rrënimet e objekteve në Orllan.
Mulliqi në Frontal të T7, tha se pasi kishte lajmëruar Bulliqin për rrënimin e objekteve atje, kryetari i komunës i kishte ftuar në mbledhje të nesërmën e cila ishte e acaruar
“Unë e kam njoftu kryetarin që do të ketë rrënime të objekteve në Orllan, të nesërmën na ka thirrë në mbledhje në ora 8, një mbledhje tejet e acaruar e pakuptimtë dhe ka kërkuar që të ketë transferim të krejt inspektoratit që është jashtë normales kjo punë. Kjo është direkt pengim i kryerjes së detyrave të inspektorëve dhe unë s’kam pranu me i nënshkru ato transferime gjë që i kam bë me dije, ai më ka kërku me dhanë dorëheqje une s’kam dhanë dorëheqje”, ka thënë ai.
Ai u shpreh se Bulliqi i kishte thënë që nëse i kërkon edhe në burg me shku duhet ta zbatojë vendimin e kërkuar nga ai.
“Në aspektin ligjor nuk më duket aspak në rregull dhe i kam tregu me mirësjellje se nuk du me pasë pasoja ligjore, masnej kryetari ma ka thanë me fjalë në rregull kur të them unë ki me shku edhe në burg, atëherë më vjen keq unë nuk shkoj në burg kështu ka qenë”, u shpreh ai.