Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur konferencë për media ku ka kundërshtuar vendimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për mbylljen e dy kafeneve në Gjilan.
Deri sa dje Haziri ka deklaruar se komuna që ai drejton nuk e duron represionin dhe mbylljen e dhunshme të lokaleve, sot i njëjti ka thënë se deri më tani të gjitha bizneset në Gjilan kanë zbatuar me përpikmëri masat anti-COVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se është e ndaluar me ligj që policia të ndërhyjë me armë të gjata në lokale pa qenë prezent inspekcioni i shtetit, ndërsa ka thënë se ky aksion mbrëmë është kryer në Gjilan pa koordinim me zyrtarët komunal.
Haziri ka thënë se këto veprime janë pjesë të një presioni ndaj ekonomisë dhe biznesit të vogël në Gjilan.
“Këto janë pjesë të një presioni ndaj ekonomisë dhe biznesit të vogël në Gjilan. Apeli im është mos ndërhyni, mos ndërhyni sepse Gjilani ka kapacitete dhe e kemi menaxhuar pandeminë që nga dita e parë…Nuk është interes as i imi as i kërkujt që të rrezikohet shëndeti publik. Ne jemi mundu me e kontrollu situatën, nuk kemi pasë raste të humbjes së vendit të punës, përkundrazi ka rikthime në punë. Aktualisht ne kemi vetëm katër raste në vetizolim, por dënimet ndaj bizneseve të vogla janë të papërballueshme”, ka thënë Haziri, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se dënimet deri në 15 mijë euro ndaj bizneseve të vogla janë të papërballueshme dhe i dërgojnë në falimentim.
Në anën tjetër, Haziri ka thënë se aktualisht zyra ligjore dhe Inspekcioni në Komunën e Gjilanit janë duke u marrë me rastin e mbylljes së lokaleve “Maroa” dhe “Mono”, ndërsa ka thënë se lënda do të dërgohet edhe në gjykatë.
“Zyra jonë ligjore dhe Inspekcioni jonë kemi marrë vendim me e ndërtu rastin dhe ta dërgojnë në çdo gjykatë të mundshme. Kemi me i refundu dënimet e paarsyeshme. Inspekcioni është duke e punuar rastin pasi që janë të vetmit që mund ta lejojnë hapjen e veprimtarisë”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se do të kërkojnë edhe nga vetë kryeministri Albin Kurti që të ndërhyjë dhe të mos lejojë presionin mbi bizneset të cilat nuk janë kompenzuar asnjëherë gjatë pandemisë dhe nuk kanë bërë presion mbi komunën për lejimin e veprimtarisë gjatë muajve të pandemisë.