Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ka rënie të infeksionit në Gjilan ditëve të fundit, por apeluar qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen dhe të kenë kujdes maksimal në respektimin e masave.
“Pas ditëve të rënda të ballafaqimit me COVID-19 në Gjilan, kemi rënie të infeksionit dhe numër më të madh të të shëruarve. Por, kjo nuk na lejon komoditet në asnjë mënyrë. E vetmja mënyrë e parandalimit të përhapjes së këtij virusi është imunizimi kolektiv përmes vaksinimit dhe respektimi i masave”, ka thënë Haziri.
Siç thuhet në komunikatë, Haziri ka bërë të ditur se zbatimi i masave ka dhënë efikasitet falë lojalitetit qytetar, duke shtuar se në 24-orëshin e fundit nga 72 kontrolle të task-forcës anti-COVID-19, vetëm në dy raste ka pasur shqiptim të gjobave.
“Ndryshe, gjendja e përgjithshme në Gjilan prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 26547 mostra, 9485 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 8635 janë shëruar, 177 persona e kanë humbur betejën, 673 raste janë aktive, 52821 deri tani janë vaksinuar, të hospitalizuar janë 77 pacientë, ndërkaq 126 mostra janë në pritje për rezultat”, thuhet tutje.