Thursday, November 28, 2024
HomeLajmeHaxhiu: Po presim vendimin e Gjykatës për fletë-arrest ndërkombëtar ndaj Radojiçiqit, ai...

Haxhiu: Po presim vendimin e Gjykatës për fletë-arrest ndërkombëtar ndaj Radojiçiqit, ai duhet të gjykohet në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletë-arrest ndërkombëtar ndaj terroristit Milan Radojiçiq. Porsa të merret një vendim i tillë, ajo ka thënë se ministria që ajo drejton do të veprojë pa vonesa.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Haxhiu ka thënë se Kosova është e vendosur ta kërkojë nga Serbia dorëzimin e Radojiçiqit, megjithëse e sheh këtë mjaft sfiduese sepse “vetë Serbia e ka dirigjuar sulmin terrorist”.

Ajo ka kërkuar edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtar për të hetuar bazat ushtarake serbe ku janë trajnuar sulmuesit, ndërsa ka pohuar se institucionet vendëse po bëjnë maksimumin për identifikimin e sulmuesve dhe gjykimin e tyre në Kosovë.

“Që nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist, institucionet e Kosovës, në këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit. Ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë, për hir të transparencës, kanë mbajtur konferenca, ku në hollësi kanë shpjeguar se si ka ndodhur sulmi dhe ku janë ndodhur terroristët. Sa i përket procesit gjyqësor, sigurisht që ende nuk ka filluar. Mirëpo, janë ndërmarrë masa paraprake për trajtimin e terroristëve. Disa prej tyre tani janë në paraburgim për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera terroriste”.

Grupi i madh i sulmuesve, siç tha ajo, ka tentuar që t’i ndikojë edhe serbët lokalë, por ata nuk i janë bashkuar.

“Ministria e Drejtësisë e ka obligim që t’i adresojë kërkesat e Gjykatës në institucionet tjera. Në këtë rast, kur bëhet fjalë për fletreshtim ndërkombëtar, ne jemi në pritje të Gjykatës që të bëjë kërkesë për fletreshtim ndërkombëtar, dhe menjëherë pa vonesa do të veprojmë në përputhje me kompetencat që i kemi. Do të ketë përpjekje maksimale që të gjithë sulmuesit të identifikohen, sepse ka qenë një grup i madh i armatosur që ka tentuar ta shtrijë ndikimin edhe te serbët e tjerë. Fatmirësisht, serbët lokalë nuk i janë bashkuar”.

Tutje, ajo ka thënë se Serbia do të bëjë përpjekje për t’i trajtuar rastet vetë për t’i amnistuar kriminelët. Por, ajo është shprehur e bindur se “krimet e tilla nuk do të amnistohen”.

“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojiçiq të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Para pak ditësh, pamë një bastisje në pronat e terroristit Radojiçiq, po ashtu do të ketë edhe konfiskime të pasurisë së tij që e ka krijuar nga krimi. Nuk ka përgjegjësi Serbia që ta hetojë sulmin që ka ndodhur në Kosovë. Në fakt, partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të na ndihmojnë në një hetim ndërkombëtar mbi ato bazat ushtarake ku trajnohen terroristët, në Serbi pra”.

“Edhe për krimet e luftës, edhe për këtë sulm terrorist, do të ketë përpjekje të Serbisë që ta marrin trajtimin e rasteve atje, kinse të duken se po bëjnë hetime dhe t’i amnistojnë kriminelët. Ne jemi të vendosur që ta kërkojmë dorëzimin e kriminelit Radojiçiq në Kosovë, për të vazhduar pastaj me gjykimin.  E kuptoj që është sfiduese sepse vetë Serbia e ka dirigjuar këtë sulm terrorist dhe nuk ka ndodhur vetëm me një individ, siç përpiqej të thoshte avokati i terroristit Radojiçiq, por është Serbia pas këtij sulmi”.

“Po bëjmë përpjekje maksimale që t’i sjellim kriminelët në Kosovë. Ka një vendosmëri. Krimet e tilla nuk do të amnistohen, krimet e tilla do ta marrin përgjigjen institucionale bazuar në legjislacionin në fuqi”, ka thënë Haxhiu për EO.

Sulmin e veriut ajo e ka cilësuar terrorist, me qëllim të cenimit të integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Sulmi që ka ndodhur para një jave në veriun e vendit tonë është sulm terrorist mbi territorin e Republikës, me qëllim të cenimit të integritetit dhe sovranitetit të vendit, ku si pasojë është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe një tjetër është plagosur.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments