Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia janë përplasur gjatë raportimit të këtij të fundit në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.
Deputeti Haxhiu ka kërkuar nga Vitia që t’i garantojë me dorëheqjen e tij dhe të qeverisë nëse nuk do të bëhet vaksinimi i 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit, ashtu si ishte premtuar.
“A na garantoni me dorëheqjen tuaj dhe te qeverisë që do të bëni vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve”, ka thënë ai.
Ndërsa, Vitia i është përgjigjur duke i thënë se kërkesa e dorëheqjes nga ana e tij është e pandershme.
Përndryshe, Vitia ka deklaruar se deri në fund të vitit do të arrijnë të vaksinojnë 60 për qind të qytetarëve.
Derisa Haxhiu ndërhyri gjatë fjalës së Vitisë, ministri iu përgjigj: “Pavarësisht ironisë tuaj jo adekuate unë ju dëgjova deri tani. 60 për qind e popullatës do të vaksinohen deri në fund të vitit”, tha ai.
Vitia tha se kanë siguruar rreth 2 milionë doza të vaksinës dhe se do të sigurojnë edhe më shumë.