Në Jahorinë të Bosnjë dhe Hercegovinës, është mbajtur konferenca regjionale “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Evropës Juglindore – sfidat dhe e ardhmja”.
Konferenca u hap nga ministri i Drejtësisë i Bosnjës dhe Hercegovinës, Josip Grubesa, i cili duke iu uruar mirëseardhje ministrave dhe delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse prezantoi sfidat e luftimit të radikalizmit dhe ekstremizmit dhe gjithashtu, potencoi rëndësinë e luftimit të tij në të ardhmen.
Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në prezentimin dhe diskutimin gjatë konferencës, theksoi rëndësinë e parandalimit dhe luftimit të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke veçuar veprimet konkrete të Republikës së Kosovës.
“Republika e Kosovës si pjesë e agjendës globale në luftën kundër Radikalizmit dhe Ekstremizmit të dhunshëm ka vendosur në objektivat e saja masa të shumta institucionale për parandalimin dhe luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, një dukuri që nuk ka lënë pa prekur asnjë nga vendet tona, por edhe shumë më gjerë” theksoi Haxhiu.
Ministrja Haxhiu veçoi gjithashtu suksesin e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, evidentuar edhe në raportet kredibile ndërkombëtare me ç’rast sipas Haxhiu, raportet kredibile ndërkombëtare (Raporti i Progresit i BE, Raporti i State Departmentit për të Drejtat e Njeriut etj.) vlerësojnë punën e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e radikalizmit.
Më tej, ministrja Haxhiu shprehu përkushtimin e saj dhe të Republikës së Kosovës në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. “Kosova ka miratuar Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit kundër Terrorizmit (2018-2023) e cila është në pajtueshmëri me Strategjinë e BE-së kundër terrorizmit, i cili dokument parasheh intervenimin institucional nga mekanizmat përgjegjës” theksoi ajo, duke shtuar edhe krijimin e Departamentit për Ri-integrim si mekanizmi përgjegjës për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit.
Në fund Ministrja theksoi se këtë Konferencë e sheh si një rast mjaft të vlefshëm, për të parë se cilat modele mund të funksionojnë dhe çfarë mund të mësohet nga përvojat e njëri – tjetrit në këtë drejtim.
Ministrat dhe përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse, përmes një deklarate të përbashkët, kanë miratuar konkluzione të cilat kanë dalur nga diskutimet e konferencës, e që kanë të bëjnë me përkushtimin në luftimin dhe parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Evropës Juglindore.
Pas konferencës, ministrat dhe delegacionet nga shtetet pjesëmarrëse, kanë vizituar Burgun Shtetëror dhe Institutin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Bosnjë dhe Hercegovinë.