Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare “Mitrovica”
Haradinaj ka shkruar në Facebook se mbështet plotësisht bashkimin e partive shqiptare, boshnjake dhe shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut.
“Mbështetje të plotë për bashkimin e partive shqiptare, boshnjake dhe shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut. Kënaqësi të takoj sot në selinë e Aleancës, përfaqësues të shumë partive, që janë bashkuar për të mirën e qytetarëve. Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, përfaqëson një vlerë të re të bashkimit dhe përfaqësimit qytetarë pa dallime etnike e partiake.”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut duhet të bashkohen që të përmirësojnë jetën e tyre dhe të krijojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Gjithashtu ai ka bërë thirrje që të votohet ky subjekt.
“Qytetarët që jetojnë në këtë komunë, duhet të përmirësojnë jetën e tyre atje dhe të krijojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. Në këtë kontekst, mbështetja e tyre për këtë iniciativë, është përcaktim për rritjen e mirëqenies, zhvillimit dhe qeverisjes së mirë.”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, në këtë iniciativë janë bashkuar përpos shoqërisë civile edhe partitë LVV, PDK, LDK, AAK, AKR dhe VAKAT. Erden Atiq nga LVV është kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, ndërsa bartës i listës është Skender Sadiku nga shoqëria civile.