Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaHaradinaj, kryetari i përhershëm i AAK-së që synon ta “shpëtojë” Kosovën

Haradinaj, kryetari i përhershëm i AAK-së që synon ta “shpëtojë” Kosovën

Është data 2 maj 2002. Një nga liderët më të njohur të UÇK-së e krijon partinë e tij. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbetej pa Ramush Haradinajn vetëm kur ai do të merrej në Hagë për t’u gjykuar.

Ramush Haradinaj të dielën u rizgjodh kryetar i AAK-së edhe për një mandat katërvjeçar. Kur e krijoi partinë e tij pak më shumë se dy vjet pas përfundimit të luftës, ai kishte qëllime shumë të mëdha. Dy herë arriti të ngjitej deri në krye të shtetit, shkruan Express.

“Mund ta vërtetojmë sot se qëllimet arrihen edhe kur janë të vështira. Ne për qëllim kishim lirinë, demokracinë, pavarësinë, ushtrinë. Jemi ne ata të cilët i projektuam këto qëllime, jemi ne që i zbatuam dhe jemi ne që i arritëm”, tha ish-komandanti i UÇK-së në fjalën e tij në Kuvendin Zgjedhor të partisë.

Si një nga prijësit e luftës në Dukagjin, Haradinaj e thekson edhe tash qëllimin e parë për të cilin u njoh fillimisht në masë: lirinë. “Faleminderit NATO, faleminderit Amerikë”, tha ai në ditën e zgjedhjeve të brendshme, ku ishte i vetmi kandidat për kryetar.

I lindur në korrik të vitit 1968 në një familje shumë nacionaliste, ai natyrshëm mori pjesë në vitin 1989 në demonstratat kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia. Një vit më vonë u strehua në Zvicër, ku nisi jetesën si punëtor ndërtimi. Bënte fushatë aktive për LPK-në, lëvizjen më radikale të rezistencës kosovare, e cila do ta formonte UÇK-në më vonë.

Në vitin 1997 Haradinaj do të kthehej këndej. Fillimisht, ai nisi të merrej me grumbullimin e armëve. I mblodhi disa bashkëpunëtorë, përfshirë vëllezërit e tij, në aksione të transportimit të armëve nga Shqipëria. Në maj të atij viti, grupi i udhëhequr prej tij u përball me një pritë nga trupat serbe pasi e kishin kaluar kufirin. Vëllai i tij, Luani, u vra.

Haradinaj e kishte mbajtur me orë të tëra në shpinë trupin e vëllait të tij përtej kufirit për ta varrosur. Më pas u kthye në Zvicër, por vetëm për 2 muaj. Erdhi sërish në Kosovë dhe sërish nga Shqipëria. Shkoi në fshatin e tij të lindjes, Gllogjan për ta shndërruar shtëpinë e tij në bazë të UÇK-së.

Ai e transformoi një grup të paorganizuar djemsh të rinj në një forcë që do të njihej shpejt për aksionet e forta dhe të suksesshme kundër forcave serbe.

Haradinaj do ta humbte edhe një vëlla tjetër në luftime dhe disa nga shokët e tij të ngushtë.

Pas luftës, ai ishte numri dy në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Aty nuk qëndroi gjatë. Në maj të vitit 2002 e themeloi AAK-në ku si mentor e kishte Mahmut Ballkallin, ish-liderin komunist të Kosovës. I mori edhe disa elemente marksiste të LPK-së së Emrush Xhemajlit.

Ish-komandanti, nga e majta shkoi në qendër, për të lëvizur më pas djathtas, me synimin për t’ia marrë pak elektorat LDK-së së Ibrahim Rugovës, e cila gëzonte mbështetje të jashtëzakonshme.

Ramush Haradinaj do të bëhej kryeministër për herë të parë në vitin 2005, pas një pakti me Ibrahim Rugovën.

Ai dha dorëheqje po atë vit, kur Prokurorja e Hagës e akuzoi për krime lufte. Haradinaj u bë lideri i parë politik në ish-Jugosllavi që do ta linte detyrën për t’iu përgjigjur drejtësisë. Me gjakftohtësinë më të madhe ai njoftoi për vendimin e tij për t’u paraqitur vetë në gjykatë, duke thënë se është i pafajshëm dhe duke e akuzuar Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës se po i barazonte luftëtarët e lirisë me agresorët.

Në burgun e Sheveningenit në Hagë ai do ta gjente Sllobodan Millosheviqin, Kasapin e Ballkanit.

Haradinaj u lirua në vitin 2008 nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Në korrik të vitit 2010, Dhoma e Apelit vendosi pranimin e disa prej argumentave të Prokurorisë dhe urdhëroi rigjykimin e pjesshëm për 6 nga 37 pikat e aktakuzës kundër Haradinajt. Ish-kryeministri u kthye në paraburgim.

Në dhjetor të vitit 2012, Gjykata e Hagës e shpalli përfundimisht të pafajshëm Haradinajn.

Sapo u kthye për herë të dytë nga Haga, Haradinaj bëri me dije se synimin për t’u ulur sërish në karrigen e kryeministrit e kishte ende të gjallë.

Në politikë u rikthye duke e akuzuar Hashim Thaçin. Në vitin 2014, kur Thaçi lidhi koalicionin e madh me LDK-në e Isa Mustafës, Haradinaj u bë një nga opozitarët më të zëshëm. Në disa kauza si kundër Asociacionit e Demarkacionit, AAK-ja e tij iu bashkua LVV-së duke përdorur edhe gaz lotsjellës në Parlament.

Më pas e braktisi Albin Kurtin për ta krijuar “koalicionin e krahut të luftës” me dy ish-komandantë të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin e Fatmir Limajn. Ia dhanë postin e kryeministrit.

Ky dukej të ishte testi i vërtetë për Haradinajn, i cili premtoi punë, shumë punë. Vendimi më i njohur prej kohës sa ishte kryeministër në koalicionin e PAN-it është vendosja e taksës 100% për mallrat serbe. Ky i kishte dhënë duartrokitje të forta brenda vendit, por e kishte përballur fort me kundërshtimin e ndërkombëtarëve.

Po ashtu, mbahet në mend përplasja në Berlin, ku Haradinaj përballë ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron kishte refuzuar një propozim të këtij të fundit për ta pezulluar taksën.

Haradinaj e thekson formimin e ushtrisë si një nga sukseset e punës së tij sa ishte në krye të qeverisë.

Dha dorëheqje në vitin 2019, pas një ftese që e mori nga Prokuroria e Specializuar në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Tha se nuk donte të shkonte atje si kryeministër për ta ruajtur nderin e shtetit.

Në zgjedhjet e reja, ai e krijoi një aleancë me pjesën e ndarë nga Vetëvendosja, PSD-në.

Ramush Haradinaj ka ecur në rrugën e tij politike në shtegun e një heroi të gjallë, por që ka bërë disa herë lëvizje të nxituara.

Tani, ai tha se AAK-ja ka disa qëllime tjera. Mes tyre, Haradinaj e përmendi edhe marrëveshjen me Serbinë.

“Ne kemi edhe qëllime tjera. E kemi qëllim rritjen ekonomike, e kemi qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke. Qëllim e kemi anëtarësimin në NATO, qëllim e kemi BE-në, qëllim e kemi anëtarësimin në OKB. Ne do t’i realizojmë edhe këto qëllime”, tha Haradinaj në kuvendin zgjedhor të AKK-së të dielën.

Ish-komandanti që nuk po e lëshon nga dora partinë, beson se tani Kosova duhet “shpëtuar” nga, siç tha, “politika dhe politikanët populistë e të frikësuar”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments