Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës që edhe i fitoi zgjedhjet pa balotazh, Bedri Hamza, në emisionin Pressing të T7, ka folur për një koalicion të mundshëm në mes të PDK-së dhe LDK-së për në rundin e dytë të zgjedhjeve.
Ai tha se është i gatshëm të shkojë në koalicion me LDK-në në Mitrovicë, në mënyrë që LDK-ja t’i ndihmojë PDK-së në Prizren.
“Unë jam i gatshëm që edhe në Mitrovicë të bëj koalicion me LDK-në nëse edhe këta janë të gatshëm me përkrah PDK-në në njërën prej komunave ku është në garë që të bashkëqeverisim”, është shprehur Hamza.
Autori i emisionit, Leonard Kërquku, e pyeti se do mund të realizohej një koalicion me LDK-në, për t’i ndihmuar njëra-tjetrës në Prishtinë dhe Prizren.
“Pra ju do të veproni kështu pra Prishtinë me Prizren?”, pyeti Lleo.
“Prishtinë me Prizren”, u përgjigj shkurt Hamza.
“Unë besoj që është në interes të PDK-së me të ketë marrëveshje me qëllim me qenë pjesë e qeverisjes dhe e ekzekutivit për në Prishtinë”, shtoi Hamza.