Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka dorëzuar përpara gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou të Gjykatës Speciale edhe kërkesën e tretë për lirimin e ish-kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arrest shtëpiak apo edhe lirimin në një shtet të tretë që ka ofruar garancitë.
Në këtë kërkesë avokati i Thaçit, Gregory W. Kehoe, ka thënë se vazhdimi i paraburgimit në Hagë bie ndesh edhe me liritë dhe të drejtat e njeriut.
Gjithashtu kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të përkohshëm të Hashim Thaçit në kushtet që konsiderohen të nevojshme dhe të përshtatshme, deri në 30 ditë përpara se të fillojë gjykimi.
Ndërkohë Prokuroria ka thënë se as transferimi i Thaçit në arrest shtëpiak në Prishtinë e as lirimi i tij në vendet e treta “nuk do të zvogëlonte rrezikun e arratisjes, pengimit të gjykatës, ngacmimit të dëshmitarëve apo edhe përsëritjes së krimit”.