Gazeta Express ka siguruar versionin final të udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore. Përpilimi i këtij udhëzimi nisi si ide për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Veri, mirëpo më pas ministri Elbert Krasniqi, tha se ky udhëzim do të vlejë për të gjitha komunat. Lexojeni çfarë përmban dokumenti.
Në nenin e parë, shkruan se qëllimi i udhëzimit administrativ është “përcaktimi i procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativave të qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”.
Në nenin e katërt thuhet se “secili qytetarë apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës”.
Më pas ata caktojnë një person përgjegjës, i cili para se të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve njofton përmes postës elektronike apo shkresës fizike kryesuesin e kuvendit të komunës.
“Kryesuesi i kuvendit të komunës jo më vonë se tre (3) ditë pune nga pranimi i njoftimit nga personi përgjegjës, njofton personin përgjegjës me numrin e votuesve të regjistruar në atë komunë si dhe i përcjellë dokumentacionin përcjellës si dhe mban të informuar Ministrinë”, thuhet në paragrafin e 4 të nenit të 4.
Mirëpo, në rast se Kryesuesi i Kuvendit komunal nuk vepron brenda afatit të caktuar në paragrafin 4 të këtij neni, Ministria brenda dy ditë pune njofton personin përgjegjës me numrin e votuesve të regjistruar në atë komunë si dhe i përcjellë dokumentacionin përcjellës.
“Komuna, përkatësisht Ministria nga momenti i pranimit të kërkesës kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numrin e votuesve të regjistruar për komunën përkatëse, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej njëzet (20%) përqind”, thuhet në paragrafin e 6.
Më pas, dokument përcjellëse sipas paragrafit 2 është lista unike për mbledhjen e nënshkrimeve. “Lista e nënshkrimeve është e përcaktuar si Shtojcë 1 e këtij Udhëzimi.”
Sipas paragrafit të tetë, lista e nënshkrimeve përfshin të dhënat si në vijim: emrin personal, datën e lindjes, numrin personal, adresën, numrin e telefonit, nënshkrimi dhe datën e nënshkrimit.
Pastaj, paragrafi i parë i nenit të pestë thotë se “Iniciativa qytetare më së largu tridhjetë (30) ditë nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve”.
Këto nënshkrime parashihet të mblidhen në format fizik, ndërsa për nevoja dhe lehtësim të administrimit, iniciativa qytetare mund të krijojë një regjistër elektronik të qytetarëve nënshkrues.
Pas përfundimit të mbledhjes së nënshkrimeve, përfaqësuesi i autorizuar përmes nënshkrimit të të gjithë anëtarëve, në fund vërteton saktësinë e të dhënave të nënshkruesve.
“Iniciativa qytetare përgatitë dosjen e kërkesës me nënshkrime dhe ia dorëzon Kryesuesit të Kuvendit Komunal”, thuhet në paragrafin e katërt.
Mirëpo, në rastet kur pozita e Kryesuesit të Kuvendit është vakante, dosja me nënshkrime i dorëzohet te zëvendësuesit të pozitës, në pajtim me legjislacionin në fuqi. E pas pranimit të kërkesës me nënshkrime, kryesuesi i kuvendit komunal brenda pesë ditëve nga pranimi e dërgon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për dorëzimin e kërkesës, kryesuesi i kuvendit komunal njofton iniciativën qytetare dhe Ministrinë.
Sipas udhëzimit, më pas i mbetet KQZ’së që në përputhje me legjislacionin në fuqi të verifikojë listën e nënshkrimeve për të cilën pas verifikimit, njofton kryesuesin e kuvendit komunal dhe Ministrinë me vlerësimin përfundimtar.
“Nëse pas verifikimit të listës me nënshkrime sipas paragrafit 8 të këtij neni evidentohen nënshkrime nga persona që nuk janë votues të regjistruar në komunën përkatëse, ata largohen nga lista e mbështetësve”, thuhet në paragrafin e 9.
Mirëpo, në paragrafin e 10-të thuhet se “nëse për shkak se konstatohet se nuk është arrite numrin minimal prej 20% të votuesve të regjistruar, atëherë iniciativës qytetare i jepet mundësia e plotësimit të kërkesës me nënshkrime shtesë në afatin prej dhjetë (10) ditësh”.
Ndërsa në paragrafin e 11 thuhet se në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku njëzet përqind e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Në nenin e 6 flitet për monitorimin e zbatimit, ku thuhet se MAPL është përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e këtij Udhëzimi.
Ku udhëzim hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.