Gruaja që është raportuar e zhdukur bashkë me 5 fëmijët e saj, është larguar me dëshirë për të ikur nga bashkëshorti i saj. Në rrëfimin që e bëri ajo për televizionin, deklaroi se vazhdimisht ka pasur kërcënime e presione nga ai.
Për këtë, afro një vit më parë kishte bërë edhe një denoncim në Policinë e Gjakovës, nga ku më pas për disa muaj është strehuar në Shtëpinë e Sigurt. Aso kohe, kjo deklaron se ishte rrahur nga bashkëshorti, e më pas edhe ishte kërcënuar me armë.
Të gjitha akuzat nga gruaja i mohon bashkëshorti, që thotë se kishte probleme për shkak të familjes së saj, por që nuk ka ushtruar dhunë.
Në Policinë e Gjakovës është hapur rast i ri për dhunë në familje, dhe pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Këta pranojnë se ka precedent penal për dhunë në familje e raste tjera, por që i kanë marrë masat e sigurisë.
Për rastin e mëparshëm që gruaja e kishte denoncuar, i njëjti sipas avokatit Bardh Maksuti, i cili ishte caktuar sipas detyrës zyrtare, P.N, ishte akuzuar për shkaktim të lëndimeve të lehta trupore, kanosje e mbajtje e paautorizuar e armës.
Për të parat i ishte shqiptuar dënimi me 10 muaj burgim, e për armën 600 euro gjobë. Pas vendimit të bashkëshortes që të kthehet në shtëpi tek burri i saj, pas ankesës, Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin në dënim me burgim me kusht, por që nuk ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër penale.
Aktualisht, gruaja me 5 fëmijët e saj është vetstrehuar në një dhomë me qira, e pret ndihmë për një zgjidhje më afatgjate.