Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaGjykatësja lëshon e pastaj tërheq urdhëresën për sjellje me detyrim të deputetit...

Gjykatësja lëshon e pastaj tërheq urdhëresën për sjellje me detyrim të deputetit të VV-së në seancë gjyqësore

Gjykatësja Lumnije Krasniqi ka lëshuar të enjten urdhëresë për të sjellë me detyrim në seancë gjyqësore deputetin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani. Mirëpo pak minuta më vonë, e njëjta e tërhoqi urdhëresën pasi është paraqitur në Gjykatë i akuzuari për armëmbajtje pa leje si dhe pengim të personave zyrtarë.

Fillimisht,  në mungesë të akuzuarit Ramadani dhe avokatit të tij, Naser Sopjani, ishte konstatuar se shtyrja e shqyrtimit fillestar.

Gjykatësja Krasniqi bëri të ditur se të dy kanë qenë të njoftuar për seancën, por se mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Seanca në rastin ku Valon Ramadani po akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare ishte paraparë të fillonte në ora 14:00. Mirëpo, meqenëse i akuzuarit dhe avokati Sopjani nuk ishin prezent në sallë të gjykimit, gjykatësja Krasniqi shtyu seancën për muajin korrik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë, ajo tha se ndaj Ramadanit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, kurse avokati Sopjani do të ftohet me ftesë të rregullt.

Mirëpo pas përfundimit të procesverbalit, në sallë të gjykimit u paraqitën i akuzuari Ramadani dhe avokati Sopjani.

“Para orës 14:00 jom kon në korridor. Ndoshta ka qenë gabim teknik nga sigurimi”, deklaroi avokati Sopjani.

“Kom hi në 14:02 minuta në gjykatë”, tha në anën tjetër deputeti Ramadani.

Lidhur me këtë, gjykatësja tha se nuk ishte njoftuar nga sigurimi i gjykatës se i akuzuari ishte prezent në gjykatë, duke shtuar se i kishte pritur 10 minuta për shtyrjen e seancës.

Ajo tha se seanca prapë se prapë nuk mund të mbahet, pasi tashmë ka një seancë tjetër të caktuar.

Kështu, tentimi i pestë për mbajtjen e shqyrtimit fillestar në këtë rast do të bëhet me 13 korrik, në ora 13:00.

Ndërkaq, prezent në sallë të gjykimit ishte prokurori Besart Mustafa.

Fillimisht seanca në këtë rast ishte caktuar të mbahej më 12 tetor 2020, mirëpo e njëjta ishte shtyrë si pasojë e mos pranimit të ftesës

Fillimisht seanca në këtë rast ishte caktuar të mbahej më 12 tetor 2020, mirëpo e njëjta ishte shtyrë si pasojë e mos pranimit të ftesës nga i akuzuarit Ramadani. Andaj, gjykata e kishte përsëritur ftesën për të njëjtin, duke e dërguar ftesën edhe në vendin e punës së të njëjtit.

Ndërsa dy seancat e radhës, ajo e 17 dhjetorit 2020 dhe 24 shkurtit 2021 ishin shtyrë me kërkesën e mbrojtjes së Ramadanit.

Ndërkaq, seanca e 15 prillit kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments