Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë shkelje të urdhrit të trupit gjykues sa i përket zhvillimit të procedurës. Kështu ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve, pasi prokuroria nuk e ka sjellur dëshmitarin e radhës në seancën e sotme.
Kryegjykatësi Charles Smith ka paralajmëruar ZPS-në se një shkelje e dytë do të shqyrtohet për marrje sanksionesh.
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmia e dëshmitarit të nëntë të ZPS-së, pas së cilës, parashihej të dëgjohej dëshmitari i radhës.
Por, seanca është mbyllur në mungesë të prezencës së dëshmitarit të dhjetë, ndërsa trupi gjykues ka bërë me dije se me këtë ZPS ka bërë shkelje të urdhrit të turpit gjykues sa i përket procedurës.
“Në këtë moment të gjykimit, vetëm një organizatë është përgjegjëse për të thirrur dëshmitarët dhe për tu kujdesur për pjesëmarrjen e tyre dhe kjo është ZPS. Të gjithë këta njerëz dhe katër të akuzuarit të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim janë në pritje të dëshmitarit të radhës, në mënyrë që kohën ta përdorin në mënyrë të përgjegjshme, ky trup gjykues e ka marrë shumë seriozisht përgjegjësinë e vet për të mbrojtur të drejtat e të akuzuarve për një gjykim të shpejtë dhe të drejtë”, ka thënë kryegjykatësi Smith.
Smith i ka bërë me dije ZPS-së se për një shkelje të dytë do të shqyrtohen edhe sanksionet.
“ZPS ka bërë një shkelje të drejtpërdrejt të urdhrit të trupit gjykues sa i takon zhvillimit të procedurës, ky është një paralajmërim i parë për ZPS-në, një shkelje e dytë do të shqyrtohet pastaj për marrje sanksionesh. Ky është fundi i kësaj deklarate, do të shihemi ditën e hënë”, tha Smith.
Pas kësaj deklarate, prokurori James Pace ka dashur të flas por nuk është lejuar nga kryegjykatësi i cili ka theksuar se parashtrimi mund të bëhet vetëm me shkrim.
Ndërsa urdhri për zhvillimin e procesit thotë që është përgjegjësia e palëve që të sigurojnë që në përfundim të dëshmisë së një dëshmitari, të ketë dëshmitar gati në rend për të filluar dëshminë.
E nëse një prej dëshmitarëve të propozuar nuk është në gjendje që të dëshmojë sipas kalendarit apo nëse nuk ka kundër pyetje, ose nëse kundër pyetjet zgjasin më pak nga se pritej, pala thirrëse duhet të sigurojë që të ketë një dëshmitar alternativ të gatshëm për ta thirrur në mënyrë që të mos ketë vonesë në procedurë.
Në këtë çështje gjyqësore deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre nëntë dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Seancat janë zhvilluar kryesisht të mbyllura për publikun, apo dëshmitë janë shfaqur me përmbajtje të redaktuar.
Ish-krerët e UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Për të gjitha akuzat ata janë deklaruar të pafajshëm.