Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit pesë të dyshuarve që u kapën me 75 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë në fshatin Bardhosh të Prishtinës.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.
Njoftimi i plotë:
Prishtinë 12 nëntor 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në çështjen penale kundër të pandehurve B.B., S.H., M.S., D.M. dhe S.S. për shkak të dyshimit te bazuar se kanë kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 2 dhe paragrafi 3 lidhur me nenin 31 dhe nenin 275 paragrafi 1, nën paragrafi 1.9 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri B.B. edhe për shkak të veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, si dhe i pandehuri M.S. për shkak të veprës penale Sulm ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 1 dhe veprës penale Shkaktim i Rrezikimit të Përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform nenit nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të KPPK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurëve B.B., S.H., M.S., D.M. dhe S.S. si dhe i ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për të siguruar praninë e të pandehurëve dhe pas analizimit të tyre, konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.