Wednesday, March 5, 2025
HomeLajmeGjykata e ka obliguar Kurtin të paraqitet sot në ora 10:00 në...

Gjykata e ka obliguar Kurtin të paraqitet sot në ora 10:00 në Prokurori për të dhënë dëshmi, a do të shkojë?

Kryeministri në detyrë Albin Kurti me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës sot në orën 10:00 duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale për intervistim.

Pak para orës 10:00, para Prokurorisë saj janë mbledhur mediat për të pritur nëse ai do të shkojë atje.

 

Megjithatë, pikërisht në këtë orë, Kurti ka në agjendë që të shkojë në Gjilan bashkë me vartësen e tij, Arbërie Nagavci, si dhe kryetarin e Gjlanit, Alban Hyseni, ku kanë në plan të vendosin gurthemelin e një çerdheje të re atje.

Të premten e 28 shkurtit, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, tha se gjykata ka obliguar kryeministrin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Gashi.

Zyra e Kurtit para pak ditësh i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes një letre ku i kishte kërkuar asaj që ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.

Kurti tha se kërkesa e tij për t’u intervistuar në zyrën e tij bazohet edhe në raste të mëhershme, por nuk ka përmendur ndonjë rast se kur ka ndodhur kjo. Ai refuzon të shkojë në Prokurori me arsyetimin që kryeministri i Kosovës të mos bëhet lajm botëror e që të krijohet përshtypja se po dyshohet për një rast korrupsioni.

Më 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kurti i pati dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments