Kjo pasi që Gjykata ka aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata ka vërtetuar provimin e noterisë me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.
“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Tutje, në këtë aktgjykim thuhet se nga vendimi i kontestuar me padi dhe në kuptim të dispozitave të lartcekura, del se janë cenuar të drejtat ligjore të paditësve.
“E paditura ka dështuar të provojë faktin se veprimi administrativ me aktin administrativ të kontestuar me padi, siç përcaktohet në dispozitat e lartcekura, ka qenë i domosdoshëm dhe i përshtatshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar ne ligj”, thuhet në këtë aktgjykim.
Tutje, sipas këtij aktgjykimi e paditura në vendimin kontestues ka theksuar se Komisioni ka bërë shkelje flagrante të parimeve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ, për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit të noterisë, pasi që nga ky proces ka rezultuar që shumica e kandidatëve të cilët e kanë dhënë provimin me shkrim dhe me gojë kanë qenë familjarë të Komisionit, zyrtarë të partive në pushtet apo familjarë të partive në pushtet si dhe familjarë të ngushtë të zyrtarëve që punojnë në sistemin e drejtësisë.
“Një konstatim i tillë i përgjithësuar dhe i paprovuar, për gjykatën konsiderohet i papranueshëm, për faktin se ky konstatim nuk është vërtetuar me ndonjë provë e cila do ta plotësonte këtë arsyetim”, thuhet në aktgjykim.
Ndryshe ish-ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020 kishte marr vendim për anulimin e provimit të noterisë.
Provimin e kishte anuluar me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.
Por, me këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, nuk ishin pajtuar kandidatët të cilët kanë kaluar provimin e noterisë, e të cilët po kërkojnë që ky vendim të anulohet.
Pas anulimit të procesit të noterëve, 44 kandidatë kishin ushtruar padi në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me vendimin e lëshuar nga e njëjta.
Në mesin e paditësve ishte Ylli Bokshi, i cili përmes padisë së ushtruar më 3 mars 2020, e të cilën e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë anulimin e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin atij i është pamundësuar të zgjidhet noter.
Në padi thuhet se vendimi i atakuar përmban shkelje të rënda të dispozitave ligjore.
“Aktvendimi i atakuar është kundërligjor, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Bokshit.
Mbi pretendimin se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë parti politike, se nuk ka asnjë familjar pjesë të ndonjë partie politike dhe se nuk ka asnjë lidhje familjare apo shoqërore me anëtaret e komisionit, Bokshi po kërkon nga kjo gjykatë që ky vendim i Ministrisë të anulohet si i kundërligjshëm.
Padi kundër vendimit të Ministrisë, më 4 mars 2020, kishte paraqitur edhe paditësi Kreshnik Këndusi, i cili ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë të anulojë vendimin me të cilin Ministria e Drejtësisë kishte anuluar provimin e noterisë, duke iu pamundësuar atij përzgjedhja si noter.
Këndusi, përmes padisë, e kishte kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Ministrisë, duke kërkuar që i njëjti të anulohet.
Paditësi pretendon se arsyetimi i vendimit sa i përket lidhjeve familjare apo partiake nuk ka fare të bëj me të.
“Aktvendimi i atakuar është kundërligjorë, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Kënduesit.
Ndryshe, sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, të marr më 24 shkurt të këtij viti, është anuluar procesi i Provimit për Noterinë, të shpallur në prill të vitit 2019.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjatë procesit të dhënies së këtij provimi, janë shkelur parimet e parapara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2019.
Sipas vendimit, ky udhëzim parasheh që procesi të zhvillohet duke u bazuar në parimin e ligjshmërisë, transparencë dhe objektivitetit.
Në vendim thuhet se është shkelur parimi i ligjshmërisë, pasi që fillimisht provimit për noterë nuk iu janë nënshtruar të gjithë kandidatët në të njëjtën kohë, duke bërë që provimi të zgjas më shumë se një ditë.
Po ashtu, në vendim thuhet se ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” me numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore e partiake.
“Ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” në numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore dhe partiake, të cilët kanë mundur të ushtrojnë profesionin e noterit në dëm të interesit të përgjithshëm publik, dhe në dëm të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.