Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini që synon edhe një mandat në krye të këtij qyteti beson se aksioni i sotëm në disa qytete, përfshirë edhe në veri të Mitrovicës, për luftimin e kontrabandës ndërlidhet me zgjedhjet e 17 tetorit.
“Logjika që po e shoh që dy ose tri raste kohët e fundit është që veprimet që janë shumë problematike që mbulohen me vërtetësinë e një të drejte të qeverisë me vepru diçka po shndërrohen në metodë pune të Qeverisë së Kosovës. Të gjithë e dimë se Kosova ka të drejtë të veprojë me tabelat ashtu dhe ta luftojë kontrabandën, mirëpo ajo fjala “që të kesh të drejtë nuk mjafton” duhet të jetë gjithmonë prezente ne qeverisje për shkak se jo gjithmonë këto veprime janë të thjeshta dhe mund të merren sikur Kosova të ishte një vend që e ka stabilizuar shtetësinë e vet për një kohë shumë të gjatë. E dimë se në të gjitha vendet kur jemi disa ditë para zgjedhjeve të gjitha qeveritë rezervohen me ndërmarrë veprime të cilat mund të shkaktojnë tensione ose përleshje, se luftimi i kontrabandës pret edhe katër ditë”, tha Gjini në Klan Kosova.
Ai poashtu deklaroi se “Kosova duhet ta luftojë kontrabandën dhe duhet të tregojë sukses në këtë luftë, por janë disa punë që nuk bëhen vonë edhe disa ditë. Nëse qeveria ka pritur që shtatë muaj dhe i ka pasë informacionet inteligjente çka po ndodh dhe vendos tash ta ndërmarrë një aksion mua nuk po më duket që po lë shije të mirë në këtë kohë”.