Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të enjten se Parlamenti do të shqyrtojë një masë të përgjithshme për vaksinimin e detyruar të popullsisë, për të frenuar përhapjen e infeksioneve me koronavirus. Njoftohet se gjatë 24 orëve të fundit Gjermania ka konfirmuar 70,000 raste të reja infektimesh.
Kancelarja gjermane tha se të pavaksinuarit nuk do të kenë të drejtë të kryejnë veprime jo-thelbësore, si shkuarja në ambiente kulturore apo sportive si dhe dyqane që nuk tregtojnë produkte thelbësore për jetën.
Duke folur pas një takimi me krerët e qeverisë federale dhe të landeve, Merkel tha se masat ishin të nevojshme duke pasur parasysh se spitalet në Gjermani mund të mbingarkohen nga të infektuarit. Pasojat e infektimeve mund të jenë tejet serioze për të pavaksinuarit.
“Situata e pandemisë në vendin tonë është serioze”, tha Merkel për gazetarët.
“Spitalet janë në një situatë të rëndë, ku pacientët duhen lëvizur. Folëm për një akt solidariteti kombëtar për të ulur shkallën e infeksioneve dhe për të mos mbingarkuar sistemin tonë shëndetësor.”
Kancelarja në largim tha se zyrtarët u pajtuan për përdorimin e maskave nëpër shkolla, vënien e kufizime të reja për takimet private dhe objektivin për 30 milionë vaksinime deri në fund të vitit. Dentistët dhe farmacistët do të përfshihen mes përpjekjeve të Gjermanisë për të ofruar vaksinime.
Kancelarja mbështeti propozimin tejet të debatueshëm për vaksinimin e detyrueshëm të popullsisë. Ajo u shpreh se parlamenti do të debatojë propozimin duke u konsultuar me komisionin kombëtar të etikës.
Nëse miratohet, masa do të hyjë në fuqi në shkurt tha Kancelarja Merkel, duke shtuar se vota e saj do të kishte qenë pro nëse ajo ende do të ishte anëtare e parlamentit.
Rreth 68.7% e popullsisë së Gjermanisë është plotësisht e vaksinuar, shumë larg minimumit prej 75% që synon Berlini.
Në Gjermani ka pasur protesta të mëdha kundër masave ndaj pandemisë. Po ashtu, vaksinimi i detyruar ka gjasa të kundërshtohet, megjithëse sondazhet tregojnë se shumica e gjermanëve janë në favor të vaksinimit.
Ministri i Financave, Olaf Scholz, i cili pritet të zgjidhet javën e ardhshme në postin e kancelarit nga një koalicion i qendrës së majtë, ka mbështetur gjithashtu vaksinimin e detyruar të popullsisë. Por ai preferon që ligjvënësit të votojnë për këtë çështje sipas bindjeve të tyre personale dhe jo në bazë të linjave partiake.