Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeGërvalla s’tërhiqet nga “manovrimi në riformësimin botëror”: Jam politikane e përgjegjshme, BE...

Gërvalla s’tërhiqet nga “manovrimi në riformësimin botëror”: Jam politikane e përgjegjshme, BE tigër prej letre

Donika Gërvalla beson se si politikane e përgjegjshme e quajti Bashkimin Europian “tigër prej letre”, në praninë e emisarëve nga Washingtoni dhe Brukseli, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak në Forumin e Dubrovnikut. Diplomatët perëndimorë e kundërshtuan, por ajo nuk është penduar për deklaratat që nxitën shumë reagime në Kosovë. Në atë mënyrë, ajo tha se e mbrojti të vërtetën dhe interesin e vendit.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla shkoi vetë e treta të shtunën në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci për të mos kursyer asgjë në plot akuza ndaj Bashkimit Europian, unionit të shteteve ku shteti më i ri i Ballkanit ëndërron të anëtarësohet.

Bllokun europian, Gërvalla e quajti “tigër prej letre” në forumin me moton “Manovrimi në riformësimin botëror”, ku morën pjesë edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach.

Gërvalla kryesonte një delegacion të përbërë nga zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në bllok dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre në aspektin e sigurisë”, tha Gërvalla, duke shtuar se Europa s’ka ndonjë histori të suksesit për ta parandaluar ndonjë luftë.

Emisarët Escobar dhe Lajçak shprehën mospajtimet me Gërvallën, e cila pas gjithë reagimeve që mori edhe në Kosovë, reagoi një ditë pas, duke përsëritur se “BE-ja është një tigër prej letre” që “vazhdimisht lëshon pe” dhe që “i ikën konfrontimit”. Duke cituar fjalët e saj në Forumin e Dubrovnikut, Gërvalla shkroi të dielën vonë pas mesnate se i sfidon kritikuesit që t’o tregojnë se cila pjesë nga ajo që ka thënë është e pavërtetë.

“Unë jam zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, nuk jam zëdhënëse as e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër. Si çdo politikan i përgjegjshëm, me fanatizëm dhe zë të lartë mbroj të vërtetën dhe interesin e vendit tim, dhe vetëm të vendit tim, kudo që më krijohet mundësia të flas, ashtu si edhe të tjerët mbrojnë interesin e vendeve apo organizatave që përfaqësojnë”, shkroi ajo, duke përmendur mungesën e planit, strategjisë, vizionit e dinjitetit të “partive opozitare dhe përfaqësuesve të tyre”.

Si e kundërshtuan Escobar dhe Lajçak

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla foli për “shumë mospajtim” në bllok dhe se BE-ja s’mundet pa SHBA-në, por emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se i vjen keq që duhet ta shprehte dallimin me “kolegen nga Kosova”.

Escobar tha se “gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan ka qenë kombinim i bashkëpunimit të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara” dhe se “integrimi mbetet aspirata jonë më e lartë për rajonin”.

Diplomati amerikan tha se politika e SHBA-së mbetet konsistente nga vitet e ’90-ta. Kjo politikë në Ballkan, tha ai, mbështetet në tri shtylla, njëra prej të cilave është integrimi në BE.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak tha se blloku europian është “bashkimi më i suksesshëm i shteteve”.

“Nuk ka një bashkim tjetër në këtë planet që ka ofruar qëndrueshmëri politike e ekonomike më të mirë. Mendoj se anëtarësimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e bllokut”, tha ai.

Deklaratat e Gërvallës u pasuan nga reagime të shumta në Kosovë. Partitë opozitare e cilësuan të papërgjegjshme paraqitjen e ministres së Jashtme.

Kjo ‘përplasje’ e Gërvallës me emisarët vjen pas tensioneve në veri të Kosovës, për shkak të të cilave Qeveria e Kosovës është përballur me masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian. Ndërkombëtarët e shohin përgjegjës kryeministrin Albin Kurti për tensionet e fundit, dhe i kanë kërkuar atij ta ndjekë një plan trepikësh për shtensionimin e situatës, të cilin nuk po e përfill ende shefi i qeverisë kosovare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments