Gati katër muaj pas dhunës në veri të Kosovës, KFOR-i thotë se pret që Prishtina dhe Beogradi t’i nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët e sulmeve ndaj ushtarëve të tij.
Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën në fund të majit, kur protestat e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë të komunave u shndërruan në përleshje të dhunshme.
Në Kosovë, deri më tani, janë arrestuar dhjetë persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
autorët e dhunës “të ndiqen penalisht menjëherë”.
Çfarë thonë në Beograd?
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a po punohet në këtë rast dhe a do të arrestohen autorët e dhunës që gjenden në Serbi.
REL-i pyeti edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në lidhje me pretendimet se ata që kanë marrë pjesë në protesta të dhunshme në veri të Kosovës, gjenden në Serbi, por nuk mori përgjigje.
Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u mblodhën para ndërtesave komunale, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në këto ndërtesa.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur demonstruesit në komunën e Zveçanit u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.
Nëntëdhjetë e tre ushtarë të KFOR-it u plagosën rëndë dhe lehtë, ashtu si edhe disa protestues.
“Dihet saktësisht se kush ishte atje, çfarë është dhe nga vjen. Dihet, gjithashtu, se ata nuk kanë mundur të veprojnë pa koordinim me Listën Serbe dhe me Serbinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar për Marrëdhënie Etnike, me seli në Beograd.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e autoriteteve në Beograd, i dënoi sulmet ndaj KFOR-it, por edhe arrestimet e serbëve që lidhen me këto sulme.