Letër e hapur për:
Kryeministrin Kurti,
Ministrin e Financave Murati,
Ministrin e Shëndetësisë Latifi.
Të nderuar zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës,
Po ju shkruaj si përfaqësues i gastronomëve si dhe sipërrmarrës i veprimtarisë së gastronomisë.
Klubet e natës dhe sallat e dasmave janë ministria e 16të e Kosovës duke marrë parasysh se diaspora qëllimin kreysor gjatë vizitës në Kosovë e ka argëtimin pas një pune të lodhshme që bën në vendet ku veprojnë gjatë tërë vitit. Miliona euro tatime derdhen direkt e indirekt si zingjir në arkën e shtetit nga gastronomia, dhe kur na u deshtë neve ndihma juaj, na HARRUAT!
Duke marrë parasysh këtë fakt si shtyllë kryesore të promovimit të turizmit në Kosovë dhe si motorr i ekonomisë, thjesht po kërkojmë nga ju që të na lejoni punën konform rregullave që po aplikohen edhe në shtetet fqinje, ose në të kundërt po kërkojmë që të na mbështetni në obligimet e qirasë, punëtorëve dhe të ndani një pjesë të fitimit të vitit 2019 për pronarët e këtyre bizneseve.
20 klube të natës dhe 200 salla dasmash në total për 19 muaj po mbahen të bllokuara, duke e pasë të ndaluar veprimtarinë e tyre, e aq më tepër duke marrë parasysh se situata me pandemi në 2 muajt e fundit ka qenë shumë stabile ( mesatarisht 20 raste pozitive në ditë).
Ju duhet të keni parasysh se edhe ne jemi të gjallë, frymojmë dhe kemi të drejtë ta sigurojmë egzistencën tonë, andaj MOS NA e MOHONI. Gjatë kësaj kohe keni bërë shkelje të së drejtës themelore njerëzore MOHIMI I TË DREJTËS PËR PUNË, njëkohësisht pa na subvencionuar dhe duke e përkrahë heshturazi bankrotimin dhe mbylljen definitive të këtyre bizneseve.
Afro 3000 punëtorë apo 15000 qytetarë të këtij vendi po përballemi me krizë të madhe ekonomike duke na u mohuar e drejta për jetë e pa të ardhura për shkak të vendimeve jo adekuate konform situatës pandemike .
Këto veprime janë duke shkatërruar atë që me mund e kemi ndërtu ndër vite. Qytetarët tanë tash po frekuentojnë klubet e natës dhe sallat e darsmave në Maqedoni që janë një orë larg nga Prishtina, apo në Shqipëri dy orë e tridhjetë minuta. Rrjedhimisht Kosova po e humbë primatin e vendit me jetën më të mirë të natës në rajon, duke i anashkaluar komplet nga jeta ekonomike këtë nënsektor të rëndësishëm, si pasojë e masave diskriminuese që po aplikohen.
Shtrohet pyetja a thua që nuk po bëjnë menaxhim të mirë shtetet e rajonit??
Jemi shteti me shkallën më të lartë të vaksinimit dhe stabilitetin më të lartë epidemilogjik për më shumë se dy muaj e gjysmë, sepse të gjithë jemi të përkushtuar ti përmbahemi asaj që është për të mirën tonë, dhe as që jeni lodhë që ti rivlersoni masat po për aq kohë!
Të gjitha vendet e ballkanit perëndimor ekonominë e tyre e kanë të karakterizuar në tregti e shërbime, dhe pothuajse të gjitha po kujdesen për mirëqenien e tyre. Pikat tona më të forta duhet ti ruajmë me kujdes e jo ti vrasim!
MOS vazhdoni të na injoroni, mendoni për gjendjen tonë ekonomike dhe na lejoni të PUNOJMË ose na PËRKRAHNI!
Mos mendoni për ne vetëm atëherë kur keni më së shumti nevojë si shtet në ditët tuaja më të vështira, por mendoni për ne edhe në ditët tona më të vështira. Bëhuni shok i mirë i ekonomisë, na e hapni të paktën një derë të rrugëdaljes nga kjo fatkeqësi.
Ne shprehim gadishmërinë tonë për respektimin e masave për parandalimin dhe shpërndarjen e virusit, në të kundërt presim nga ju përkrahjen tuaj direkte për ne nga Pako e Ringjalljes Ekonomike, gjë e cila edhe na takon!