Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, ka folur rreth kandidaturave të partive politike për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Ai ka thënë se siç ka qenë ithtar që qytetarët t’i ndëshkojnë partitë politike që kanë qenë në pushtet qendror për 20 vite, tash është ithtar që qytetarët ta ndëshkojnë Vetëvendosjen në Prishtinë.
“Fajin më të madh për qeverisjen e Prishtinës e ka Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin. Unë qysh kam qenë ithtar që qytetarët me i ndëshku partitë që kanë qeverisur me vendin për 20 vite, tash jam ithtar që qytetarët ta ndëshkojnë Vetëvendosjen në Prishtinë. Përkundër të gjitha skandaleve që ka bërë Shpend Ahmeti në mandatin e parë, Albin Kurti në vitin 2017 ka dalë dhe e ka mbështet edhe për një mandat tjetër. Unë e kuptoj që mund të ketë gabuar në vitin 2013 kur e kanë zgjedhur për kandidat, por pas qeverisjes në mandatin e parë në Prishtinë, kanë dalë dhe e kanë mbështetur përsëri”, ka thënë Gashi.
Tutje, ai ka thënë në Klan Kosova se edhe nëse Vetëvendosje zgjedh kandidat për kryetar të Prishtinës, Arben Vitinë, ai përsëri pret ta shohë programin edhe planin e tij për Prishtinën.
Gashi ka thënë se fajin për shumë skandale dhe keq menaxhimin e Prishtinës e ka edhe pushteti aktual qendror, i drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Mos të harrojmë që njerëzit kryesor të Lëvizjes Vetëvendosje që tash janë në Qeveri, kanë qenë në drejtori të rëndësishme të Komunës së Prishtinës. Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Arben Vitia etj., të gjithë kanë drejtuar drejtori të rëndësishme të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Gashi.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka zyrtarizuar kandidatin për kryetar të Prishtinës, ndërsa është përfolur se ai mund të jetë Ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia.