Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaGarancitë e BE-së do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e...

Garancitë e BE-së do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

Fondi Evropian i Investimeve (FEI), pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), ka nënshkruar marrëveshje garancie të portofolit me 11 banka dhe ndërmjetës financiarë në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këto marrëveshje, të financuara nga BE-ja në kuadër të Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF) Iniciativa e Garancive për Qëndrueshmërinë e NVM-vedo t’u mundësojnë bankave dhe institucioneve financiare vendase të krijojnë një portofol kredish për NVM-të për një shumë totale prej mbi 750 milionë euro, së bashku me ato që do të nënshkruhen deri në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Këto burime financiare synojnë të rrisin qasjen në financa te bizneset e vogla dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj vështirësive të vazhdueshme ekonomike, duke krijuar njëkohësisht kushte për zgjerimin e biznesit, punësimin dhe inovacionin. Në Kosovë, ky instrument pritet të shpërndajë kredi me një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, të disponueshme me kushte të favorshme kreditimi për rreth 690 NVM-të, duke mbështetur rreth 9 500 vende pune”, thuhet në komunikatë.

“Duke mbështetur bizneset e vogla të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në segmentet e tij më të dobëta dhe të brishta, këto burime financiare do të përmirësojnë kapacitetin e tyre për risi dhe rritje, duke kontribuar në të njëjtën kohë në integrimin e mëtejshëm brenda ekonomisë së BE-së.Në këtë mënyrë, këto fonde të konsiderueshme do të ofrojnë një shtysë për zhvillimin e ekonomive rajonale të fuqishme dhe konkurruese, si dhe avancimin e tyre në zinxhirët globalë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i FEI-t, Marjut Falkstedt.

Tutje thuhet se se “në Kosovë, garancitë e FEI-t zhbllokuan rreth 190 milionë euro në total deri më tani për afro 3 000 NVM, të cilat ndihmuan në ruajtjen e 31 000 vendeve të punës”.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog tha se kjo e nismë do t’i ndihmojë ndërmarrjet e tilla në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Falë përpjekjeve tona të përbashkëta, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë do të jenë në gjendje të rrisin mundësitë e tyre të financimit dhe të marrin kredi me kushte të favorshme. Kjo nismë e financuar nga BE-ja do t’i ndihmojë ndërmarrjet e tilla në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që t’i përgjigjen më mirë sfidave ekonomike dhe të rriten”, tha ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments