Qeveria dhe Presidenca nuk kanë dhënë përgjigje nëse do të angazhohen konkretisht që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe të akuzuarit tjerë në Hagë të kthehen në shtëpi për t’u mbrojtur në liri.
Dikush duhet të garantojë nëse do që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësit tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të kthehen në shtëpi dhe të mbrohen në liri. Për këtë çështje, Gazeta Express ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit dhe në Presidencë, por asnjëra nga dy institucionet më të larta të vendit nuk ka kthyer përgjigje.
Pyetjeve me shkrim nëse ndonjë shtet ka shprehur gatishmëri për të garantuar lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve dhe nëse shteti i Kosovës është duke u angazhuar për këtë, nuk u janë përgjigjur as nga Zyra e Kryeministrit e as nga Qeveria, ndërsa zëdhënësit në këto institucione nuk e kanë hapur as telefonin.
Në ditën e fundit të muajit që sapo shkoi, Gjykata e Apelit brenda Gjykatës Speciale i hodhi poshtë kërkesat për lirimin e përkohshëm të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Sidoqoftë, sipas një gjykatësi të Speciales, ata mund të lirohen, nëse mundësohet që të garantohet lirimi i tyre me kusht nga ndonjë vend i tretë. Ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha pretendon se garancitë tashmë janë ofruar nga Kroacia, Austria, Sllovenia dhe Izraeli.
Sipas gjykatësit të Apelit në Speciale, Kai Ambos, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, atëherë ka mundësi që Thaçit dhe të tjerëve t’u pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm.
“Një shtet i tretë që mund të marrë (pranojë) dhe, nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar ose të akuzuar. Shteti mund të paraqes një ofertë të rëndësishme, ndoshta vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht. Ndërsa kjo ofertë ishte tepër e paqartë, siç thuhet me të drejtë në vendim dhe, në çdo rast, do të kërkohej një zotim i shprehur nga shteti i tretë, një ofertë e tillë mund të ishte më e saktë dhe konkrete në rastet e ardhshme dhe, në vijim, logjika i Panelit për këtë vendim mund të jetë një argument i fortë në favor të lirimit me kusht. Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për secilin rast dhe oferta e Shtetit të Tretë nuk garanton kurrsesi se do të jepet lirimi me kusht. Këtu, përsëri, unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin, domethënë që një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet me garanci, përfshirë nga Shteti i Tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibrin në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga Gjyqtari gjykues ose Kolegji kompetent”, thuhet në vendim.
Ligji për Specialen të cilin gjashtë vjet më parë shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e votuan, u lë mundësi të akuzuarve që të lirohen me kusht. Ligji parasheh që të akuzuarit përmes marrjesë së një garancie nga institucionet ndërkombëtare ose një shteti të tretë, të mund të lirohen mbi bazën e disa kushteve që do të përcaktoheshin paraprakisht.
Njëra nga pikat e nenit 41 të këtij ligji, përmend dorëzaninë, e cila mund të ofrohet për të synuar lirimin e të paraburgosurve.
“Përveç paraburgimit, Dhomat e specializuara mund t’i urdhërojnë edhe masat në vijim për ta siguruar praninë e të akuzuarit (përfshirë përmes video telekonferencës) gjatë procedurës, për ta parandaluar përsëritjen e kryerjes së veprës apo për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale: a. fletëthirrjet, b. urdhër-arresti, c. dorëzani me lirim në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, d. paraburgim shtëpiak në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, e. premtim që të mos largohet nga vendbanimi aktual në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, f. ndalimi nga afrimi i vendeve apo personave të caktuar, g. paraqitja në stacionin e policisë apo në ndonjë vend tjetër në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës dhe h. devijimin”, thuhet në pikën e 12 të këtij neni.
Një nen tjetër përkufizon se si shtetet e treta dhe institucionet ndërkombëtare mund të bëjnë kërkesa në Speciale. Përveç për të akuzuarit, kërkesa të ngjashme mund të bëhen edhe për çështje tjera. Një nen tjetër parasheh që “Dhomat e specializuara mund të kërkojnë asistencën e shtetit pranues nëse është e nevojshme për të ruajtur ligjin dhe rendin brenda ndërtesave të Dhomave të Specializuara ose në afërsi të tyre”.
Ndërsa Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Gjykatës Speciale përmend rishikimin dhe rivlerësimin e mbajtjes së të akuzuarve në paraburgim. Aty parashikohen edhe rastet kur trupi gjykues mund të urdhërojë lirimin e një të akuzuari, gjë që mund të ndodhë edhe në cilëndo fazë të procesit gjyqësor. Aty specifikohet se Gjykata Speciale vetëm kërkon të sigurohet se i akuzuari do të jetë i pranishëm gjatë procesit gjyqësor. Për këtë, gjykata i mirëpret kërkesat e një shteti të tretë, nëse ka, dhe vendimin përfundimtar pastaj e merr jo më vonë së tri ditë pas pranimit të ndonjë kërkese të tillë.