Rusia i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake në luftën e saj kundër Ukrainës, raporton sot Financial Times.
Lajmi vjen ndërsa këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan përgatitet të takohet me këshilltarin kinez për politikën e jashtme, Yang Jiechi në Romë të hënën, transmeton Fox News.
Rusia i ka kërkuar gjithashtu Kinës ndihmë ekonomike shtesë, për të ndihmuar në kundërshtimin e goditjes që ekonomia e saj ka marrë nga sanksionet e gjera të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane dhe aziatike, sipas një zyrtari.
Zyrtarët amerikanë në kushte anonimiteti, nuk pranuan të përshkruanin më tej llojin e pajisjeve ushtarake që kërkon Moska. Ata gjithashtu refuzuan të diskutojnë ndonjë reagim nga Kina ndaj kërkesave.
Zyrtarët amerikanë po vëzhgojnë Kinën nga afër për të parë nëse ajo do të veprojë në lidhje me ndonjë kërkesë për ndihmë nga Rusia.
Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, është planifikuar të takohet të hënën në Romë me Yang Jiechi, një anëtar i Byrosë Politike elitare të Partisë Komuniste Kineze dhe drejtor i Komisionit Qendror të Punëve të Jashtme të partisë.
Sullivan synon të paralajmërojë Yang për çdo përpjekje të ardhshme kineze për të forcuar Rusinë në luftën e saj ose për të dëmtuar Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre.
“Ne po i komunikojmë drejtpërdrejt, privatisht Pekinit, se do të ketë absolutisht pasoja për përpjekjet e shmangies së sanksioneve në shkallë të gjerë ose mbështetjen ndaj Rusisë për t’i plotësuar ato,” tha Sullivan sot për CNN.
“Ne nuk do të lejojmë që kjo të shkojë përpara dhe të lejojmë që Rusia të ketë një rrugë shpëtimi nga këto sanksione ekonomike nga asnjë vend, kudo në botë,” tha ai.
Sullivan nuk përmendi qartë mbështetjen e mundshme ushtarake nga Kina, por zyrtarë të tjerë amerikanë folën për kërkesën nga Rusia në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve diplomatike dhe të inteligjencës.
Udhëheqësit kinezë deri më tani kanë refuzuar të kritikojnë Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës dhe kanë kritikuar sanksionet ekonomike nga Perëndimi. Kina abstenoi në votime të shumta të Kombeve të Bashkuara për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës.