Fshatrat me shumicë shqiptare në veri tashmë kanë kaluar nën administrimin e policisë së Mitrovicës së Jugut.
Kështu bëri të ditur ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se ky vendim ka hyrë në fuqi sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, pas vlerësimit të pajtueshmërisë me të gjitha aktet ligjore si dhe janë njoftuar të dy Drejtorët Rajonalë të Stacioneve Policore në zbatim të këtij vendimi.
Statusi i plotë:
Pas kërkesës së Kryetarit të Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri, kërkesës së banorëve të Suhodollit pas vizitës sime atje si dhe rishikimit të hartave kadastrale të Komunës së Mitrovicës, zonat kadastrale Suhodoll, Gushavc, Vinarc i Epërm, Vinarc i Poshtëm dhe Vidimiriq kalojnë nga menaxhimi dhe përgjegjësia e Stacionit Policor të Mitrovicës Veriore në atë Jugore.
Ky vendim ka hyrë në fuqi sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë z. Samedin Mehmeti pas vlerësimit të pajtueshmërisë me të gjitha aktet ligjore si dhe janë njoftuar të dy Drejtorët Rajonalë të Stacioneve Policore në zbatim të këtij vendimi.
Ne garantojmë rend dhe sundim ligji gjithandej. Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.